Mollë Blleckdorf
Fisi, kanuni, feja, prifti, popi, hoxha, Kola, Hasani!
Këto fjalë i përsëriste me zë Dash Shyti edhe kur dremiste. Mundohej t’ua zbërthente kuptimin e këtyre fjalëve, por nuk ia dilte dot. Nuk i vinin Zezës të zezat vetëm nga skamja e varfëria. Kishte aq shumë të liga të tjera të cilave Dashi nuk ua gjente dot zgjidhjen. Braktisja e Zezës akoma nuk kishte gjetur vend në mendimet e tij.
Atë natë që Uka i Trakaliçëve, kishte tentuar t’ia dhunonte nusen të birit të Tomës, pa kaluar dy orë pas darke, ai ia kishte vrarë dymbëdhjetë meshkuj në odë të tij. Çka ishte më keq, ai Uka nuk i kishte treguar askujt në familjen e tij për tentativën që ka bërë për t’ia dhunuar nusen e Tomës. Zeza ishte tronditur tepër rëndë, por shumë më tepër ishte tronditur Dash Shyti. Ai kishte vendosur të ikte, kah sytë këmbët, pa hak e pa hile të askujt.
– Me letra e pa letra më nuk i lë fëmijët të pa shpresë, po i thoshte vetes.
Përfytyronte që ndonjë djalë i tij mund të përdhunonte ndonjë vajzë të fshatit, e aq më keq kur krejt ato ishin të të njëjtin fis. Ka edhe ma keq, mendonte Dashi. Edhe vajza e tij kishte mbushur 20 vjet pa martuar. Edhe ajo mund të binte viktimë e ndonjë hamshori të fshatit. As që i shkonte mendja Dash Shytit se as ai e as fëmijët e tij, krejt të rritur, nuk kanë kartë identiteti. As që mendonte se një ditë do të mund ta regjistronte dikush në ndonjë defter.
Në fshatin Zezë jetonin kryesisht fshatarët që thuhej se i përkisnin të të njëjtit fis. Deri atë ditë që iu rriten fëmijët, Dash Shyti nuk kishte menduar aq shumë për të ardhmen. As nuk i shkonte mendja që djemtë kur të rriten duhet martuar. Gruaja ja polli katër fëmijë me radhë, tre djem dhe një vajzë. Sa kohë që ishin të vegjël, fëmijët nuk iu kishin ra në sy aq shumë zijoshëve. Të gjithë kishin hallet e veta dhe rrallë kujt i shkonte mendja se si po jeton fqinji.
U bënë burra djemtë e Dashit, por baba që i kishte rritur me aq mundime, nuk po gjente rrugë për të kërkuar vajzë për djalin e madh. Edhe Vajza kishte arritur moshën e martesës por nuk po e kërkonte askush. Vajzën e Dash Shytit, Mollën, që ishte bërë për martesë, pak kush e kishte parë duke marrë ujë të kroi, të cilin e kishte shumë afër shtëpisë.
Djali i madh, një ditë ju drejtua të atit:
– A ke menduar akoma për martesën tonë?-baba!
– Unë po shoh gjithë vuajtjet e fqinjëve për të siguruar bukën e vitit, por shumica nuk po ja dalin. Gjithë fshati jemi të një fisi.
– Baba! I kam parë tri vajzat e atij Hasanit, që e ka shtëpinë atje në fund të fshatit, duke ardhur përditë këtu për të marr ujë në krua. As vajzat e tij nuk po i kërkonte askush për nuse, megjithëse janë faqekuqe si molla. Edhe ato janë të fisit tonë.
– A di ti baba që as motrën tonë nuk e ka kërkuar askush për nuse deri sot? E di se edhe fejesat e martesat kanë njëfarë rregulli. E di që ti mendon që derisa të martohemi ne tre vëllezërit, tek atëherë i vjen radha motrës. Këto rregulla nuk janë aq pengesë sa është varfëria jonë, o baba.
Edhe po të na e kërkojë dikush motrën tonë, ne nuk kemi kurrfarë mundësie për ta çejzuar. Familja duhet ta përgatis krejt pajën, e ketë ne nuk e bëjmë dot. Krejt pasuria jonë është kjo kasolle, ky kali që kemi dhe dy dynym arë. Dheun e këtyre dy arave të vogla toke, krejt e kemi sjellë nga rrafshi ngarkuar mbi kalë që prej këtu është larg gjashtë orë këmbë. Një herë kam menduar të të them që ta kërkojmë një vajzë të Hasanit, atij Hasanit që e ka shtëpinë në fund të fshatit tonë, një orë këmbë larg prej nesh. Siç kam kuptuar, ai Hasani kishte tre vëllezër, por vëlla i vogël i tij ishte ai Kola që nuk kishte pranuar të ndërronte fenë e të behej mysliman, ndërsa Hasani me dy vëllezërit tjerë ishte bërë mysliman.
– Ti baba, kurrë nuk na ke rrëfye si ka ndodhur që ai Hasani me dy vëllezër ishte ba mysliman, ndërsa Kola, vëllai i katërt i tij, kishte mbetur katolik.
– Pa të pyetur ty fare, kam biseduar me priftin tonë për punën e vajzës së Hasanit e cila siç kam kuptuar ka njërin sy të verbër dhe kishte kaluar moshën tridhjetëvjeçare pa e kërkuar kush dorën e saj. Megjithëse unë e kuptova se ajo është më e vjetër se unë, mendoja ta kërkojmë për nuse. Krejt këto fjalë ja kam thënë priftit.
Prifti i fshatit Zezë, jo që më dha fare shprese, por aty për aty me mallkoi pse më ka shkuar mendja me kërkua dorën e vajzës së Hasanit, , kur ajo e ka babin mysliman, dhe është e fisit tonë. I thash priftit se Hasani ishte mysliman por e kishte vëlla Kolën katolik.
Djali i madh i Dashit kishte mbushur njëzetetetë vjet. Kishte edhe shumëçka për ti thënë të atit, por ai e ndërpreu rreptë.
– Hasani me dy vëllezër u ba mysliman moti, por edhe Kola që ka mbetur katolik është i vëllai i tij. Fundi i fundit ata janë të fisit tonë dhe martesa brenda fisit tonë është e ndaluar edhe me kanun, foli Dashi.
Pasi tha këto fjalë, Dash Shytit i shpërthyen lotët. Ju kujtuan vuajtjet që kishte përjetuar kur ishte martuar, dhe si i kishte vdekur e shoqja fill pasi kishte lindur fëmijën e katërt me radhë. Mendoi gjatë si i kishte rritur katër jetimë. Kishte gatuar dhe kishte larë rrobat e fëmijëve për shumë vjet derisa ishte rritur vajza, të cilës vetë ja kishte lënë emrin Mollë.
Derisa djemtë ishin bërë burra të pjekur, nuk i kishin sjellë kurrë ndonjë problem në shtëpi. Ja tash kishte ardhur koha, për të bërë diçka, por gjithçka i dukej e pamundur.
Heshti gjatë dhe pastaj duke ngritur kokën, u drejtua kah djali.
– Krejt çka me tregove biri im, e kam ditur moti. Më vjen mirë që ke kuptua edhe punën e atij Hasanit, të vëllait të Kolës.
Dash Shyti kurrë nuk ju kishte folur fëmijëve për historinë e martesës së tij. Serish kujtoi gjithçka. Nuk kishte harruar asnjë detaj deri kur i kishte vdekur e shoqja. Për habi as fëmijët nuk e kishin pyetur kurrë pse nuk kanë dajë sikur që kanë shumë fëmijë tjerë të fshatit. Dashi deshi të thoshte diçka nga historia e tij e martesës por serish shtrëngoi dhembet. Heshti gjatë. Sikur i dukej po përjetonte po ato vuajtje. Ju kujtua si e ka rrëmbye të shoqen shumë larg nga fisi dhe si e ka mbajtur fshehtë martesën derisa i ka lindur fëmija i parë.
Na, biro jemi mysliman. Edhe na kemi qenë katolik si Hasani. Pasi ai Hasani e ka akoma të vëllain katolik, plus është i kotillës sonë, as mos të të shkojë mendja më tutje për ndonjë veprim të pa matur!
Dash Shytin, pas bisedës me të birin e madh, më nuk e zinte gjumi.
Shumë herë fliste jermi.
Fisi, feja, kanuni, prifti, hoxha, popi, Hasani, Kola!?
Zot bene hair! - murmuriste pa ndërpre.
Dukej sikur nuk po gjente shteg. Kur lodhej nga gjumi, kur kllapitej rastësisht zgjohej me rrëmbim. Të mbushej mendja sikur është zgjuar nga koma disa vjeçare. Serish përsëriste; Fisi, kanuni, feja, prifti, hoxha, popi, Hasani, Kola!
Ju kishte mërzitur jeta. Ai nuk po gjente shteg për të ecur përpara. Përpiqej të kujtonte shumë rrëfime të pleqve për origjinën e fisit të fshatit Zezë, por gjithçka i dukej sikur e mallkuar.
A mund të jenë të gjithë këta zijoshët të një barku, të një nëne e të një babai? – pyeste vetën. Origjina e përbashkët e të gjitha familjeve të fshatit i dukej tepër enigmatike.
Mendoi, se po të thyente kanunin, dhe djali i tij ta merrte vajzën e Hasanit do ta vrisnin pa një pa dy. Do të ishte i pari që ka thye kanunin. Do ti thoshin edhe fenë e ke prishur. Për të kërkuar nuse të ndonjë derë më e pasur, as nuk guxonte të mendonte. Të rrëmbente ndonjë vajzë nga fisi tjetër, e priste i njëjti fat.
Shumë herë mendonte për djemtë e tij të rritur të cilëve as nuk ju ka shkuar mendja, zoti na ruajt, për të dhunuar ndonjë femër të fshatit.
I kujtohej mirë Dash Shytit, pse Uka i Trakaliçëve ishte përpjekur t’ia dhunonte nusen e re, djalit të Tomës, e ai pa kaluar dy orë kohë, ia kishte vrarë 12 meshkuj të Ukës, pas darkës në odë.
Kaloi shumë net pa gjumë. Askujt më nuk i fliste asgjë. As nuk i shkonte mendja të ndryshonte fenë edhe një herë. Mendonte se as me ndërrimin e fesë nuk fitoi asgjë, pos varfërisë së pafund sikur Hasani. Pastaj kujtonte fenë e vjetër dhe kokrrat e misrit që i ndante prifti në kishë. Mendoi të rrëfehej edhe njëherë në kishë, por nuk dinte për çka.
Një mbrëmje vonë, pas darke, vendosi të bisedonte shtruar me fëmijët.
– Kam menduar gjithçka për veti e për ju. Tash kur jeni rritur dhe kuptoni çdo gjë, babi ka vendosur të ju pyes: A jeni dakord të ikim prej këtu?
Të katër fëmijët heshtën gjatë. Dukej sikur u pikëlluan tepër nga kjo pyetje. Duhej të përgjigjej djali i madh. Pastaj të tjerët.
Baba!- i tha Dash Shytit, i biri.
Nëse ti ke menduar të ikim, edhe unë pajtohem. I dyti vetëm pohoi me kokë. Djali i tretë shpërtheu heshtjen. Duhet të ikim sa më parë, tha ai! Edhe vajza pohoi me kokë duke shtuar se nuk ndahet prej babit e vëllezërve për të gjallë.
I ballafaquar me njëmijë halle Dash Shyti po mendonte të ikte natën nga vendlindja. Më nuk kishte kujt t’ia qante hallet. Të bisedonte më imamin e fshatit, i dukej krejt pa kuptim, pasi i ati i tij qe bërë mysliman jo fort moti. Me priftin nuk i shkonte biseda fare, pasi ai e kishte mallkuar familjen e tij që atë ditë kur i ati i Dash Shytit qe bërë mysliman me krejt familjen, pa pyetur askënd.
* * *
Kishte kaluar tre muaj nëpër rrugë të botës, që kur kishte ikur nga vendlindja dhe kishte arritur me anije në Brazil. Atje nuk i shpëtonte askush rrjetit të bandave që transportonin njerëz ilegal deri në Meksikë, e prej aty në Teksas. Më në fund, Dash Shyti me tre djem e një vajzë, e pa vetën duke kaluar kufirin amerikan këmbadoras nëpër një tunel të ngushtë nëndhes.
Sa pyetje ja shtronte vetes, nuk mund ti përgjigjej asnjërës.
Çka ka përtej këtij tuneli?- mendonte i dëshpëruar, Dash Shyti.
Më në fund pa edhe dritën në fund të tunelit. Ata që e kishin dërguar deri aty u zhukën sa qel e mbyll sytë pa ia thënë një fjalë Dashit. Përtej tuneli preku rërë. Përpara po shihte rërë pa fund. Dielli akoma nuk dukej në horizont. Ishte mëngjes para lindjes së diellit.
– Nuk do ecim drejt lindjes në asnjë mënyrë sepse ma kujton vendlindjen, mendoi Dashi. Pa menduar shumë vendosi të ecnin në drejtim të veriut. Deri në mesditë nuk hasën njeri të gjallë. Sapo preken një rrugë të shtruar, u ulen për të pushuar. Pa kaluar disa minuta para tyre u ndal një makinë e policisë. Ky ishte fundi i udhëtimit tremujor pa cak i Dash Shytit me familje.
Vendosi të mos fshihte asgjë, gjatë kohës kur policia po i shtronte pyetje pa fund.
– Ju keni të drejt që sot të ndryshoni edhe emrat tuaj dhe origjinën i tha nëpunësi i policisë.
Mendoi Dashi kohë të gjatë dhe vendosi të ndryshonte emrin dhe mbiemrin e vetë. Edhe djemve u tha të marrin emra tjerë. Nëpunësi u ofroi edhe një listë të gjatë emrash që mund të zgjidhnin. Kur i erdhi radha Mollës ajo shpërtheu në lot. Dënesi sikur po jepte shpirt. Dashi u prek shumë nga lotët e vajzës. Ajo i tha shkurt babit se nuk e paramendonte vetën me tjetër emër.
– Mbaje emrin Mollë, ia preu shkurt babai.
Dash Shyti për herë të parë në jetë po bëhej njeri legal me letër identifikim, diku në një vend te botës. Deri atë ditë nuk kishte pasur kurrë një dokument identifikimi sikur edhe karër fëmijët e tij.
Nga ajo ditë Dash Shyti quhej Wudi Blleckdorf. Të tre djemtë morën emra të rinj dhe dokumente personale.
Molla Blleckdorf, thirri nëpunësi emrin e vajzës. Asaj serish ju mbushen sytë me lot.
Bashkë me të qau edhe nëpunësi! Një zot e di pse?
Pas pak kohe, Wudi Blleckdorf me tre djemtë u punësua në një fermë pambuku. Vajzën malësore e dërguan në kolegjin e afërm për mësimin e gjuhës që flitej në atdheun e ri. Ajo shpejt u dallua me inteligjencën e saj duke befasuar të gjithë mësimdhënësit. Për katër vjet Mollë Blleckdorf mbaroi kolegjin me sukses. Vetëm emri ia kujtonte vendlindjen. Sa herë dikush nga shokët e thërriste me emër, asaj i rridhnin lotët. Ngjau dikur që një profesor ta pyeste pse qanë kur e thërrasin me emër? Molla me lot në sy rrëfeu kuptimin e emrit të saj. Qau edhe profesori me lot. Ikja nga identiteti po vazhdonte. Kopallat për kthim ishin tretur bashkë me mjegullën e mëngjesit.
Nga familja e Dash Shytit, mbeti vetëm emri i vajzës Mollë. Athua për sa kohë do të jetojë ky emër dhe a do të kuptojë dikush ndonjë herë se diku larg në Teksas ka dëgjuar që vajza e dikurshme e Dash Shytit, Molla kishte mbaruar mësimet universitare dhe po ligjëronte aty ku kishte qenë studente edhe vet. Ajo dikur as që kishte menduar për shkollë e për shkronja. Gjithçka kishte marr drejtimin e vet me kalimin e kohës. Me emra e mbiemra tjerë, Dash Shyti siguroi legalizimin dhe dokumentet e identifikimit të cilat nuk i siguronte dot ne vendlindje, pasi deri atëherë jetën e kishte kaluar i paregjistruar diku në ndonjë defter. Mendon dikush pse Dash Shyti ndryshoi emrin dhe mbiemrin, ky problem mbeti në vendlindjen e tij, atje ku plot njerëz akoma jetojnë e vdesin të pa regjistruar në ndonjë defter. Dash Shyti, tash ka kartë identifikimi, por ai është Wudi Blleckdorf?
Botuar në librin „Tregime t’leshta“ (Prishtinë, 2026).
Faqja e librit →