Adem NimaniShfleto revistën
Tregim · Grremçi

Herezitë e koçobashëve për shkollën shqipe

Adem Nimani · · Tregime t’leshta

Një ditë, derisa Grremçi i vogël po kthehej nga shkolla në shtëpi, një dorë burri ia kishte lëmuar flokët. Ishte Miri, një ish i burgosur politik që kishte mbaruar dënimin, por kishte humbur të drejtën e punës.

– Të lumtë Grremç!- i kishte thënë axha Mir.

– Isha në shkollë dhe fola me mësuesit. Shikova edhe notat tuaja në ditar. U ndjeva krenar me notat tuaja.

Miri që e donte shkollën aq shumë, krejt kohën e kalonte duke vizituar shkollat, jo vetëm në Zezë, por edhe në krejt nahijen. Grremçi i vogël në klasën e tretë, akoma nuk po kuptonte pse axha Mir i do nxënësit aq shumë. Miri e takoi edhe shumë herë Grremçin derisa e kreu shkollën fillore. Një ditë kur Grremçi kishte mbaruar klasën e tetë dhe po kthehej në shtëpi, Miri sikur e kishte pritur këtë rast t’i tregonte gjerë e gjatë historinë e shkollës shqipe dhe herezitë e koçobashëve zijoshë për arsimin. Rrëfimi i Mirit për shkollën shqipe ishte plot dhembje. Bindja e fshatarëve për të lejuar fëmijët të shkojnë në shkollë kishte marrë shumë kohë. Tregimi i Mirit dëshmon gjithçka:

Sa herë përmendej hapja e shkollës shqipe në Zezë. zijoshët i kaplonin ethet.

Kush do shkollë, le të shkojë në Stamboll, thoshin njëzëri!

Derisa në Stamboll, dikush nga zijoshët kërkonte hapjen e shkollës shqipe, shumë të tjerë nëpër male tuboheshin ditë e natë dhe betoheshin se nuk do të lejojnë kurrë fëmijët e tyre të shkojnë në kurrfarë shkolle. Kush do shkollë le ta dërgojnë në Stamboll. Në anën tjetër, tregtarët, agallarët e bejlerët moti kishin filluar të shkollonin fëmijët e tyre, jo vetëm në Stamboll, por edhe në Kairo, Damask, Romë, Vjenë e Paris.

* * *

Leshi, i ati i Mirit, me tre vëllezër, akoma po jetonin bashkë në një familje të madhe. Duke qenë më i madhi vëlla, Leshi ishte zot shtëpie. Secili vëlla kishte martuar edhe ndonjë vajzë a djalë. Leshi kishte mbetur vetëm me një djalë hasreti e një vajzë. Dukej sikur nuk mërzitej kur shihte shtëpinë të gumëzhinte nga nipër e mbesa që po rriteshin në kullën e madhe, e cila në Zezë kishte marrë emrin e kalasë.

Leshi akoma dirigjonte çdo punë në familje. Nuk po mendonte se ishte plakur. Shtëpia e bashkallakut e madhe sa një kështjellë, ziente nga pesëdhjetë anëtarë të familjes. Akoma askush nuk kishte nxjerrë zë për ndarje. Oda e burrave për njëqind veta në katin e dytë, fiks mbi ahurin plot buallica e lopë, kishte mysafirë natë e ditë. I zoti i shtëpisë nuk zbriste shkallet pa ndonjë nevojë të madhe.

Sa shumë kishte lakmuar Leshi të vishej me shallvare e me fes në kokë, e të shëtiste Stambollin me bastun në dorë, por ajo kohë kishte ikur përgjithmonë. Ndërroheshin pushtuesit, por zemra e koçobashit akoma rrihte për padishahun.

Krajli serb organizoi edhe zgjedhjet e para në Zezë. Leshi, duke qenë koçobash i fshatit, nuk kishte si të futej në këtë valle, gjithnjë duke menduar për kthimin e padishahut. Priste e përcillte miq e shokë, ulur në odë, gjithmonë me shpresë se dikush do të sillte ndonjë “havadyz” për fatin e Padishahut.

Në zgjedhjet e dyta serbe, pas sa vitesh, dikush nga deputetet arnautë kishte kërkuar nga krajli në Beligrad hapjen e shkollave shqipe, pa menduar më shumë përtej kuptimit të vet fjalës shkollë.

Zijoshët, fjalën shkollë e krahasonin me fjalën turke mejtep, pa u thelluar më tepër, se çka fitojnë nga kjo. Për zijoshët, hapja e shkollës në gjuhë të huaj ishte bash sikur mejtepi gjatë pushtimit osman.

Një ditë, kjo fjalë kishte hyrë tinëz në odën e Leshit, nga ndonjë mysafir, jabanxhi i largët. Të flitej për hapjen e ndonjë shkolle, serish në gjuhë të huaj, në odën e koçobashit, nuk ishte punë e lehtë. Duke pasur vetëm një djalë, e vet duke u plakur përditë e më shumë, Leshi nuk po gjente derë si të futej në vallen zgjedhore të cilën intimisht e kishte lakmuar moti. Edhe në këtë moshë të shtyrë lakmonte të ulej diku në ndonjë zyre të hyqymetit.

Kumbaria me kolonë kishte filluar të lëshonte rrënjë.

Një ditë, Leshi kishte shijuar një gotë raki tek fqinji i ri kolon, të cilin nuk e kishte hiq më shumë se pesëdhjetë metra larg nga dyert e oborrit. Edhe të shkonte të koloni, të cilin, pushteti serb e kishte lënë thjeshtë në mal, nuk kishte as ku të hynte brenda për të mos e parë dikush, zoti na ruajt. e pastaj të përhapen fjalët se koçobashi ka hy në kasollen e Milladinit, mbuluar me dushk, e të cilën mund ta rrëzonte çdo dredhë e zakonshme ere, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë.

Kishte shijuar rakinë koçobashi edhe shumë herë me parë, por të fqinji mund të merrte vesh edhe ndonjë havadyz (lajm) për punën e hapjes së shkollave.

Thonë se gota e parë e rakisë pihet me zor, e dyta djeg pak, kurse e treta shkon nëpër grykë për merak.

Gjeti rastin koçobashi, dhe një natë e kaloi të kuma vetëm me dy a tri gota.

Pasi kishte pirë mirë edhe një herë tjetër, kumbara, kur e kishte përcjellë Leshin ia kishte dhuruar edhe një shtambë plot raki. Në atë ndejë, kumbara nuk kishte fol asnjë fjalë për hapjen e shkollave që përmendej nga pushteti.

Kalonin ditët dhe kumbaria trashej. Ardhjen e kumbarës në shtëpi, Leshi duhej ta mbante sekret nga familja e nga fqinjët. Nuk frikësohej shumë nga familja sa nga fqinjët hastretxhinj për tallje të përditshme. Leshi akoma ruhej nga syri i keq sa herë fliste me ndonjë kolon. Pa kaluar shumë kohë nga ndeja e parë e dy kumbarëve, shoqëruar me ngritje gotash, koloni kishte filluar të shkonte në odën e Leshit, në orët e vona të natës. Sa herë takoheshin në rrugë, vet kuma e ngacmonte Leshin si me pahiri, kur do ta pinte ndonjë gotë edhe ditën, për dritë të diellit, një kafe në odën e tij për të mos krijuar përshtypje se tashmë kishte qenë në odën e kumbarës.

Të dy e dinin punën e rakisë. Leshi priste me padurim të gjente rast e të ngrinte edhe shumë gota të tjera me kumën. Një natë, në orët e vona, kumbara hyri në odën e Leshit me një shtambë tjetër plot raki. Kishin menduar mirë edhe si ta evitonin erën e rakisë nga oda që ishte tik mbi ahur të bagëtisë.

Nëse dikush dyshon rastësisht që ka nuhatur erë rakie, do t’i thonë që është kundërmim i plehut nga ahuri.

* * *

Puna e hapjes së shkollës në Zezë kishte marrë dheun. Të dehur në masë të duhur, kumbara ishte përgatitur t’i tregonte kumbarës Lesh edhe ca fjalë për shkollën që po hapej. Duke cakërruar për të saten herë gotat me raki, kuma iu kishte drejtuar Leshit:

– Kumbara Lesh! A do të lejosh djalin tënd të hasretit të shkojë në shkollë?

Leshi, siç qe me gotën plot raki në dorë, i befasuar nga këto fjalë, e kishte gëlltitur me një gërçamë, sa gati iu kishte ndalur fryma.

– Kume?! A di ti të më tregosh se çka fitoj unë po që se e dërgoj djalin në shkollë?

– Paj, kume, djali yt mund të mësoj germat dhe të shkruaj. Kur e kryen shkollën fillore, shkon ma tutje dhe mëson, e mund të bëhet ‘çinovnik”(nëpunës). Derisa fliste kuma, Leshi e shikonte drejt në sy, duke u përpjekur të dëgjonte dhe kuptonte mirë çdo fjalë që ia thoshte. I dehur mirë nga rakia, Leshit i dukej sikur djali i tij tashmë kishte hequr plisin dhe kryeshtruar ishte ulur në zyre.

– Djali yt mundet me hy në punë diku në hyqymet!

Koçobashi, akoma nuk po i jepte xhevap kuptimit të fjalës shkollë në rradaken e tij.

– Çka banë djali jem me e krye krejt shkollën?

– Mundet, kume me shkue e me u ba edhe deputet (serb. posllanik) në Beligrad!

Sapo e dëgjoi fjalën deputet, Leshi nuk foli fare, dhe iu duk sikur bani hop për t’u krenuar, akoma pa prekur djali i tij bankat e shkollës.

– A vishet ndryshe djali me u ba posllanik, kume?

– Valla bre kume edhe duhet me u vesh ndryshe! Atje në shehër mund të shkojë me plis e me tirq, po dallohet nga zotërinjtë tjerë.

– E mirë, kume! A banë vaki që djali i jem i hasretit, kur ta kryen krejt atë farë shkolle e të bëhet posllanik, a mundet me ikë nga Zeza e me jetue në Beligrad?

– Vallai kume, nuk e di, po banë vaki edhe ashtu.

– A mundet ky djali jem i hasretit edhe me u martue atje?

– Shumë po vet bre kume! Djalin e ke të martuar e me fëmijë! Ku me ditë!

Pasi i tha kumbara, se djali mund të bëhet edhe posllanik, pyetjet e Leshit nuk po mbaronin.

Leshi as që kishte menduar akoma se familja e tij e madhe me shumë burra, djem e reja, plot nipa e mbesa, mund të ndahej një ditë.

Vetë Leshi, si zot shtëpie, kurrë nuk kishte prek punë me dorë. Edhe djalin e tij të hasretit e kishte rritur ashtu afër vetit. Gjithmonë kur flitej për punë fushe, djalin e vet e quante hall lig, edhe të hasretit. Fjala e tij ishte urdhër që nuk refuzohej nga askush, aq më pak brenda familjes. Koçobashi, kurrë nuk e kishte paramenduar vetën duke ruajtur bagëtinë në fushë apo duke prashitur në arë.

Një mbrëmje vonë, Maleshi, i vëllai i dytë i Leshit, i regjur e i rrjepur nga puna, në mbrëmje ishte ulur në trapazan dhe po e shikonte të vëllain e madh afër oxhakut.

Kush mund e dinte se çka po mendonte ato çaste Maleshi?

Ndoshta mund ta ketë nuhatur erën e rakisë, mund të pandehte Leshi? Ndoshta ka dëgjuar për hapjen e shkollës dhe mendonte se nuk e bind dot Leshin që të lejojë regjistrimin e djalit të tij në shkollë? Në odë mbretëronte heshtje që nuk ishte e zakonshme kur aty kthehej Maleshi, që ishte punëtor e mahitar i madh. Një zot e di kur kishte vendosur Maleshi të hapte punën e ndarjes së familjes. Ndoshta e kishte diktuar Leshin që kishte vendosur ta dërgonte djalin e hasretit në shkollë. E njihte mirë Maleshi të vëllain koçobash. Mund ta shkollonte të birin Leshi, por nuk do ta lejonte kurrë të shkonte në shkollë i biri i Maleshit.

Heshtjen e gjatë e theu Maleshi!

– Bacë!- iu drejtua Leshit më zë të ultë!.

– Jemi ba pesëdhjetë anëtarë në familje! A ndahemi sonte?

– Eu! Kishte gjëmuar thellë Leshi!

Këtë fjalë ndoshta nuk i kishte paramenduar asnjëherë. Vetë, kurrë punë me dorë nuk kishte prekur. Të vetmin djalë e kishte rritur e martuar pa prekur punë me dorë. Kishte kush bënte punët e detyrat e shtëpisë. Derisa po mendonte atë fjalën shkollë, dhe djalin e hasretit posllanik, u trondit tepër nga fjala e Maleshit.

Pa e thënë edhe një fjalë tjetër, pa menduar as për ndarjen e kullës dhe të çdo gjëje që kishin deri atëherë, Maleshit i tha që të shkonte nesër e të ftonte edhe disa miq e fqinjë.

Maleshi, nuk priti tjetër përgjigje. Të nesërmen ngjiti kuajt dhe shkoi herët në Mirushë për të ftuar edhe Leshin.

Ditë më vonë u tubuan të ftuarit, dhe gjithçka që kishin i ndanë në katër hise.

Oda, pa ndonjë fjalë, i ra hise Leshit, por gjysma e kullës i takoi Maleshit. Dy vëllezërit tjerë dolën në troje të reja. I ndanë edhe miqtë e jaranët.

Me kalimin e ditëve, Leshi më nuk mendonte tjetër por vetëm për fjalët që ia kishte thënë kumbara për shkollën që do të hapet dhe mundësinë që djali i tij të bëhet deputet. Nga ajo natë kur bisedoi me kumën për kuptimin e fjalës shkollë, Leshi harroi gjithçka përreth tij.

Nuk bëhet Leshi bari në pleqëri, jo jo, i thoshte vetes.

Leshi me buallica e me lopë, nuk shkon, jo kurrë.

Nuk jam unë si Buçi, që i shkoi jeta me lopë, bile jo të tijat, por të huajat!

Në Zezë kishte shumë varfanjakë dhe këtë e dinte Leshi. Pa i kullotur edhe një ditë dy buallica dhe lopën që i kishin ra hise, mori dy rrogëtarë, njërin për bagëti e tjetrin për punë të fushës.

Ditët kalonin. Një djalë të vetëm kishte Leshi. Kishte një djalë që tash ishte i martuar dhe ishte bërë baba. Reja i kishte pjellë dy vajza e një djalë. Derisa punët në ara e fusha po i kryenin rrogëtarët, i biri i Leshit, shëtiste përditë deri në qendër të Zezës, ku ishte ndërtuar një shkollë e vogël me dy dhoma mësimi.

Pushteti kishte caktuar edhe moshën edhe gjininë e atyre fëmijëve që do të përfshiheshin në shkollë. Mësimi do të fillonte nga klasa e parë me fëmijë të moshës nga shtatë deri gjashtëmbëdhjetëvjeçare.

Miri i tregoi të atit se mund të shkonte në shkollë, por ndjehej keq duke qenë i martuar dhe baba, e ndoshta edhe nuk e regjistrojnë, pasi është tetëmbëdhjetëvjeçar. Leshi nuk po harronte dot fjalët e kumës se djali mund t bëhet edhe “posllanik”, nëse kryen shkollën si duhet, ashtu siç kërkon hyqymeti.

U regjistruan nxënësit, e bashkë me ta edhe Miri. Që mos të bëhet pengesë mosha e Mirit, ishte kujdesur kuma që ishte ofiqar. Ai ia falsifikoi datëlindjen Mirit, duke e regjistruar tri vjet më të ri.

Miri njihej si fëmijë i zgjuar, i rritur e edukuar në një familje të madhe.

Sa kohë që shkoi Miri në shkollë, Leshi kujtonte gjithë ato ndeja në krye të odës. I kujtoheshin bisedat me pleq të njohur të nahijes, dhe ja tash i biri po shkonte në shkollë. Në kokë po i vlonin mendime se si nesër djali i tij mund të bëhet posllanik, siç i kishte thënë kuma. Të gjitha ndryshimet i përballonte Leshi por kur mendonte se i biri mund të shkonte në detyrë në Beligrad, nuk gjente dot qetësi. I iku edhe gjumi. Sa kohë krenohej se djali nesër do bëhet posllanik, aq herë i tkurrej trupi e dëshpërohej kur paramendonte se Miri mund të largohej përfundimisht nga Zeza.

– Dreq o punë kjo shkolla, i thoshte vetit me zë. Krerë e bajraktarë tanë kërkuan shkollë shqip nga mbreti, e as ai nuk na dha. Edhe krajli tash hapi shkollën, por vetëm serbisht. Hyqymeti serb si me tallje na tha; gjeni mësues shqiptar dhe hapeni vet shkollën shqip. Beligradi nuk ka mësues arnaut. Nuk e dërgova djalin një ditë të vetme në mejtep! Po ta dërgojë tash djalin në shkollë serbisht, shokë e miq ma nuk do të ma kalojnë pragun e shtëpisë, dyshonte seriozisht Leshi.

Kishin kaluar katër vjet, dhe Miri kishte mbaruar katër klasë të shkollës fillore, në moshën njëzetedyvjeçare. Kishte krisur lufta tjetër. Gjermania kishte bombarduar Beligradin.

Ëndrrat e Leshit, së djali mund të bëhej edhe posllanik i mori lumi. Djali me katër vjet shkollë, kishte mësuar të shkruaj e të lexojë vetëm serbisht. Për pak ditë u vendos pushteti i ri. Edhe pushtuesit të ri i duheshin njerëz që dinë të shkruajnë e të lexojnë. E ftuan edhe Mirin për të punuar në komunë.

Sa për fillim e angazhuan andej ku ju duhej për të lexuar, për të shkruar apo për të përkthyer ndonjë dokument nga gjuha serbe në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. Miri po kryente detyrat si duhet, por “patriotëve” që kishin marrë pushtetin, nuk u pëlqente shumë, pasi etiketohej se kishte kryer shkollë të krajlit. Nevoja e pushtetarëve që nuk dinin shkronjat, i detyroi që ta marrin Mirin në punë të rregullt.

* * *

Në Zezë, ndërrimi i pushtuesve ishte bërë i zakonshëm. Miri, sa kohë punoi në komunë, mësoi të shkruante edhe shqip. Pa kaluar tri vjet, Italia iku, dhe atë e zëvendësoi Gjermania, por jo më shumë se për një vit.

Lufta e Dytë botërore kishte përfunduar dhe partizanët kishin shti në dorë pushtetin. Festonte secili për veti, pa përcaktuar se kush çka fitoi. Për disa vjet nuk dihej akoma fati i pushtuesit të ri. Në Zezë vrasjet e kundërshtarëve të pushtetit nuk pushuan për disa vjet. Partizanët, premtimin për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe filluan ta zbatojnë në vepër.

Filloi regjistrimi i atyre fëmijëve që do të vijonin mësimin. Bindja e fshatarëve për të lejuar fëmijët, djem e vajza që të shkojnë në shkollë mori shumë kohë. Derisa Leshi kishte harruar fare që dikur ishte koçobash, që nuk përkulej para askujt, më nuk merrej më asgjë. Ëndrrën e tij për ta parë djalin posllanik e kishte marrë lumi në pa kthim.

Edhe pushtetit të ri i duheshin njerëz që dinë të shkruajnë e lexojnë. Numri i tyre ishte tepër i vogël. Ato pak vite të pushtimit italian sa kohë që ishin hapur shkollat shqipe, pak kush kishte arritur të përfundonte klasën e katërt të shkollës fillore.

Partizani hapi shkolla në qytet e fshat. Në klasën e parë u regjistruan fëmijët nga mosha shtatë deri gjashtëmbëdhjetëvjeçare. U përfshin edhe të gjithë ata fëmijë që paraprakisht kishin mbaruar një, dy apo tri klasë të shkollës fillore. Sigurimi i objekteve për mësim dhe i kuadrit mësimor ishte i zorshëm. Pushteti mori për punë të mësuesve këdo që dinte të shkruante apo lexonte, ne cilën do gjuhë. Madje edhe ata që dinin vetëm alfabetin cirilik u morën në punë. Angazhimi për trajnimin e kuadrit pas orarit të punës zgjati me vite. Në Zezë, punën me nxënës e filluan dy mësues. Njeri serb e tjetri shqiptar. Ndjekja e kundërshtarëve politik po vazhdonte. As ata që kishin marrë malin nuk po pushonin. Një ditë UDB-a në sekret të plotë vrau mësuesi serb për të akuzuar më lehtë shqiptarët. Dhuna e pushtetit mbi zijoshë u trash edhe më tepër.

Akuzuan shumë zijoshë për vrasjen e mësuesit. U akuzua dhe u arrestua e u burgos edhe i biri i Leshit. Atë e dërguan në burgun e improvizuar në Kullën e Popit në Burim. Në situatën e re që ishte krijuar, kumbara më nuk mund të bënte asgjë për Leshin. Shkollimi i Mirit, kishte mbaruar. I biri i Mirit po shkonte në shkollë. Leshi plak, nuk kishte harruar punën e posllanikut akoma, por tash në këtë detyrë po e përfytyronte nipin. Arrestimi dhe burgosja e Mirit kishin tretur shpresat e fundit të koçobashit plak.

Në vend që i biri i Leshit, Miri të ishte posllanik, tash ishte në burg. Koçobashi i dikurshëm, as që po ëndërronte ditë më të mira.

Vetëm pas një viti, Miri u lirua nga akuzat. Pas burgut, ai nuk mund të shpresonte të gjente punë, duke qenë i damkosur. Dashuria e Mirit për arsim nuk ishte fashitur. Edhe në atë pozitë, ai vazhdonte të shtynte njerëzit që ti lejojnë fëmijët të shkojnë në shkollë. Kudo në biseda me fshatarë, ai thoshe se vetëm shkollimi i fëmijëve tanë sjellë lirinë që ëndërrojmë

Gruaja e Mirit kishte pjellë nëntë fëmijë; pesë djem e katër vajza. Kishin kaluar shumë vite me shumë të zeza. Kishte ardhur radha e përfshirjes së vajzave në shkollë. Vajza e madhe e Mirit, në prag të martesës ishte përfshi në disa kurse të mësimit të alfabetit. Vajza e dytë që po vijonte mësimin në klasën e pestë, ishte bërë brengë, jo e Mirit por e Leshit. Gjyshi plak nuk mund e shihte të shkonte në shkollë mbesa e tij. Sa herë e thërriste kushërira e saj për të shkuar në shkollë në mëngjes, Leshit i dukej sikur ta lëshonte toka. Ashtu më zë të shterur, një ditë Leshi i tha të birit se mbesa e tij duke shkruar në shkollë po ja shkurton jetën gjyshit. Miri ishte prekur tepër në një kohë kur pushteti e kishte emëruar ofiqar në zyrën e vendit në Zezë. Mendonte për burgun, përjashtimin e serishëm e përfundimtar nga puna, nëse e ndalon vajzën nga shkolla. Nuk e barazonte dot kërkesën e të atit me pushtetin dhe punën e tij. Kumës së moçëm i rrinte larg që kur kishte qenë në burg, megjithëse vet kumbara kishte ndihmuar lirimin e tij

Aq shumë që i duheshin pushtetit njerëzit që dinë shkrim lexim, sa një ditë, serish e ftuan Mirin në punë, në Komunë. Ia ndërronin vendin e punës sipas nevojës. Derisa vajza e tij e dytë e rritur po vazhdonte klasën e pestë të shkollës fillore, me një vajzë tjetër të fshatit, ishin përhapur shumë thashetheme se kush i lejon vajzat në shkollë nuk është shqiptar. Dy vajza të fshatit Zezë ishin para mbarimit të klasës së pestë të shkollës fillore, Miri ishte ofiqar. Ai nuk i duronte dot thashethemet. Nuk mendoi gjatë për pasojat që mund të kishte po të ndalonte vajzën e vet nga shkolla, Një ditë falsifikoi datëlindjen, jo vetëm të vajzës s tij, por edhe të shoqes së saj që shkonin bashkë në shkollë. Ato i regjistroi sikur kanë mbi gjashtëmbëdhjetë vjet dhe ligjërisht më nuk kanë nevojë të vijojnë mësimin e rregullt.

Botuar në librin „Tregime t’leshta“ (Prishtinë, 2026).

Faqja e librit →