Rruga e vdekur…
Botuar në faqe 5 („Udhëpërshkrim për verifikuesit e OSBE-së“). Teksti është rishkruar nga skanimi i gazetës „BUJKU“ të datës 6 nëntor 1998, në arkivin digjital të FLOSSK.
Shkoni zotërinj të OSBE-së në Runik, shkoni atje për të parë se si duket pastrimi etnik, të cilën gjë ju nuk e besoni. Një bashkësi lokale me tre mijë e dyqind banorë, 99% shqiptarë, tani nuk ka njeri të gjallë, përveç policëve dhe disa serbëve vendës. Shkoni dhe shihni në çdo kënd të rrugëve si duket vdekja...
Runiku më nuk ka as bujq, as mësues, nuk ka as nxënës, as jetë, dhe nga çfarëdo tornadoje do të shpëtonte diçka shqiptare, por nga dora serbe nuk shpëtoi asgjë.
Dhe, për çudi shtatë-tetë nxënës serbë shkojnë në shkollë, e nga mësimi mungojnë jo me dëshirën e tyre tetëqind nxënës shqiptarë. Dhe, ju o verifikues, kur të shkoni atje, në Runik, do të thoni: "Shkolla qenka hapur". Dhe, do të bisedoni me ushtarakë e policë për t'u bindur se gjendja qenka "normale". Sikur në vete do të thoni: "Shqiptarët qenkan çmendur!" Kësaj radhe është fjala për ndërgjegjen e njeriut. Shqiptarët sikur e kanë humbur besimin, se dikush me të vërtetë do t'i kuptojë ata. Njeriu kur përcjell lajmet e agjencive të famshme, si ajo CNN, REUTERS, etj., se qenkan kthyer në shtëpitë e veta mbi tridhjetë mijë refugjatë, s'ka si të mos pëlcasë. Kur rastësisht kalon Runikut nuk has njeri të gjallë, pos atyre që kanë ardhur këtu të vrasin njerëz. Ata janë aty, "për siguri" u thonë verifikuesve të jashtëm. E vërteta është se kudo që janë ato uniforma të urryera, aty është vetëm pasiguria, aty mbretëron vetëm vdekja. Suhogërlla vetëm dy-tri kilometra më larg, dëshmon edhe më mirë pastrimin etnik, të cilin përherë e kanë synuar pushtuesit e ardhur nga Karpatet. Të shkapërderdhur në të katër anët e botës, edhe brenda Kosovës, qytetarët e kësaj ane me skepticizëm ndjekin diplomacinë, së cilës më gati nuk i besojnë fare.
Larg është Prishtina nga atje. Po në rrugët, shkollat, shtëpitë e fakultetet e kryeqytetit përditë defilojnë drenicakët e Runikut.
Që nga marsi i këtij viti, rrugën e asfaltuar nga Mitrovica drejt Runikut më nuk e shkelën veturat e autobusët me udhëtarë e njerëz të zakonshëm. Pa dalë nga Mitrovica, aty në Shipol, fillon shkretëtira që la pas pushtuesi. Në Braboniq, pak më tutje Shipolit, ka pasur shtëpi, njerëz, nxënës dhe jo fort larg rrugës, edhe shkolla. Tani edhe këtu çdo gjë është e shkretë. Nuk lëviz asgjë. Nga të dy anët e rrugës të përcjellin pamjet e katrahurës që ka ngjarë gjatë tetë muajve të kaluar. Rruga të çon në drejtim të Tërrnacit. Askund njeri të gjallë. Tani bri rrugës shihen rrënojat e shtëpive të djegura shqiptare. Pyet njeriu, a thua gjallon kush atje thellë fshatit. Sikur varret e bashkëluftëtarëve të Azem Galicës vigjilojnë në Tërrnac. Nga kodra e fundit e këtij fshati, shihet Klina e Epërme. Ishte bashkësi lokale me mbi treqind shtëpi. Tash plotësisht e boshatisur, këtu tani është postblloku dhe bunkerët në qendër të fshatit. Moti është mbytur jeta këtu. Më nuk ka banorë, veç ndonjë qeni endacak që i ka shpëtuar plumbit. Dhemb çdo shtëpi, çdo njeri, por më shumë dhemb shkolla aty bri rrugës, e thatë, e shkretë, nga shtatëqind nxënës dikur, tani vetëm krrokamë e sorrave dëgjohet. Ku janë nxënësit e saj.
Autobusi ngjitet udhës lakore kah Runiku. Larg është nga syri dhe trupi i banorëve të tij Runiku i lashtë, që tani i goditur për vdekje shikon si me vetëdije nga rruga që e ndan mes përmes, ndoshta dikush këtu më shpejt do ta kthejë jetën. Rruga këtu edhe më tej është e vdekur. Në Klinë të Epërme, në të majtë të rrugës, janë Mecinët, lagje kjo tash e vdekur dhe e djegur. Pak më lart në të djathtë, lagjja e Fazli Baranit e bërë shkrumb, e bashkëluftëtarit të Azem Galicës. Pastaj - Përroi i Keq. Një autobus i djegur atje ku ndan rruga për në fshatin Kotorr. Gjurmë lufte. Edhe në skajin tjetër kah Llausha, era barut.
Nga dritarja e autobusit shihet Çubreli. Në të dy anët e rrugës të gjitha shtëpitë janë të djegura. Në thellësi është Kotorri, i tëri i djegur. Rruga lakore çon drejt Vitakut. Bri rrugës, shkolla, pa nxënës, gjurmët e krimit shihen kudo. Pa hyrë në Runik, në kodër ku ndan rruga për në Radishevë, njeriu ynë nuk ka si të mos mendojë për burrat e këtij fshati, që ranë duke mbrojtur trojet stërgjyshore. Nga kodra, Runiku shihet i tëri. Sa i gjallë ishte dikur. Shkolla tani është e shkretë, dyqane të shkatërruara, shtëpi të djegura, e banorë të vetëm; policët dhe disa serbë vendës që ishin kthyer. Nuk mund e të mos pyes njeriu normal; SI DUKET PASTRIMI ETNIK, GJENOCIDI I KULLUAR!
Nga zemra e Runikut ndan rruga në drejtim të Suhogërllës. Atje më nuk ka shqiptarë. Të gjitha shtëpitë e tyre janë të djegura. Si për inat, tani okupuesi ka vënë në qarkullim edhe autobusin; ndoshta për të mashtruar ndonjë të krisur, kinse ka jetë këtu. Në drejtimin kryesor të rrugës, kah Peja, vetëm dy kilometra nga Runiku, fshati Çitak më nuk ka shtëpi në këmbë. Këtu më nuk frymon jetë. Edhe Padalishta ka pësuar fatin e njëjtë të fshatrave të këtij drejtimi rrugor Mitrovicë-Pejë. Por, për çudi pak më tutje në Rakosh, jeta të duket gati normale. Çfarë kufijsh janë vendosur këtu?!
Rruga e Runikut të Drenicës edhe më tej mbetet rrugë e vdekur. Shtëpitë që kanë mbetur pa u djegur, digjen çdo ditë.
Do të kthehen ata, tanët. Do të kthehen patjetër fitimtarë. Jeta do ta mundë vdekjen.
Botuar për herë të parë në Bujku, 6 nëntor 1998.
Shihni origjinalin në Bujku ↗