Diletantizmi politik shqiptar
Botuar në rubrikën „Tribuna e lexuesve“, faqe 9. Teksti është rishkruar nga skanimi i gazetës „BUJKU“ të datës 21 tetor 1998, në arkivin digjital të FLOSSK.
As diletanti politik nuk do të lejonte ta shpallin fajtor të tjerët për gabimin që nuk e ka bërë. Politikanët e pjekur nuk do të mund t'i përçante dhe po të arsyetonte kurrfarë diplomacie e huaj, nëse ata vërtet kanë qëndrime që mund të argumentohen në çdo kohë e në çdo rast. Përditë lexojmë deklarata nga diplomatë të huaj: "Shqiptarët ende nuk janë unikë në qëndrimet e tyre. S'kemi me kë të bisedojmë"!
Përgjigjuni! Ua thoni të gjithëve me një gjuhë: më s'ka kohë. Pse qëndroni aq larg njëri-tjetrit. Populli i Kosovës e di se udhëheqja e tij ka qëllim të njëjtë. Votimet u mbajtën në atmosferë lufte, ku shumica dërrmuese e popullit me vetëdije të lartë ia dha besimin presidentit, por edhe deputetëve të Kuvendit. Edhe ata që deshën të mbesin jashtë "loje" duhet ta thonë qartë se ç'duan. Diplomacisë botërore duhet t'i tregoni se keni një qëndrim. Liria dhe çlirimi i Kosovës për këtë iu obligon. Iu obligon populli. Parulla e famshme "Një komb, një qëndrim" - qëndron në sheshin e Tiranës. Asnjë politikan i atjeshëm nuk mundi të shpjegojë deri më tash çfarë është ai qëndrim. Për së mbari a për së prapthi?
"Më i mirë është ligji i keq, sesa joligji (anarkia)". SHBA-të numërohen si vendi më demokratik në botë, por aty ende punon "karrigia elektrike". Nuk duhet ndonjë shpjegim tjetër.
Sa parti janë në Kosovë, me krah a pa krah, me bisht apo pa bisht? Kjo edhe për diletantin është e qartë se këto shumëzohen kështu për karrige apo për inate personale. Populli edhe më tej po ndan çdo gjë me njëri-tjetrin, të mirën e të keqen, vuajtjen dhe sakrificën. Vetëm disa krerë të shkretë politikë këtë nuk janë në gjendje ta shohin.
Mos vallë dikush po tallet me popullin në këtë katrahurë mizorie. Botës duhet t'i thoni: "Ja ku jemi të gjithë. Një qëndrim kemi. Në këtë gjendje nuk është me rëndësi kush qëndron në krye!" Vetëm kështu Kosova do të mund t'ia dalë të çlirohet, të pavarësohet!
UÇK është krenaria, jeta dhe liria e popullit. Ajo, më shumë se asnjë ushtri në botë, është e zemrës së djegur të Kosovës. Zotërinj, më nuk ka vend për shaka. Kosovarët më nuk janë analfabetë.
Cilës parti i takon ushtria amerikane zotërinj? Ndoshta nuk e dini?
Komunizmi ka vdekur përjetë. Ushtri nuk është as IRA, as ETA, as Fallanga e Libanit. Mosni zotërinj! Bijtë tanë që po përgjaken në llogore nuk bëjnë politikë. Ushtria është e popullit, tek ne dhe kudo në botë. Ajo ka detyrën e vet të shenjtë. Kush synon të përfitojë a të mbjellë diç në mesin e ushtrisë, ai duhet të kryqohet a t'i falet zotit se me siguri e ka humbur rrugën. Është koha për t'i lënë mahitë, ndryshe deklaratat paushalle më nuk kanë vend.
Botuar për herë të parë në Bujku, 21 tetor 1998.
Shihni origjinalin në Bujku ↗