Tregtari i leshit
Sa herë që pyeste dikush Bardh Hundëleshin, përse u ndave nga vëllai, ai përgjigjej:
– U ndava për lesh!
Deri atë ditë që u nda nga vëllai, Bardhi kishte qenë bari delesh. Kur filloi tregtinë e leshit, dukej sikur nuk kishte dëgjuar kurrë fjalën e urtë popullore: “Ka hundëlesh mbi hundëlesh”! Ai, as nuk kishte menduar se pasurimi i tij, një ditë mund tu bëhej halë në sy gjithë tregtarëve të leshit në shehrin e Mustafë Agës.
Dy vëllezërit, Bardhi e Galani, nuk u ndanë mes tyre, pse nuk e ndanin drejt leshin, por u ndanë pikërisht pasi e ndanin leshin. U ndanë sepse e shoqja e Bardhit, hisen e leshit që i takonte, nuk e lante me kohë, apo fare. Nuk ishte ajo sasi e vogël leshi e cila mund të shkonte dëm pa përpunuar, por për këtë shkak mund të vuante gjithë familja. Nga mos përpunimi i rregullt i leshit pësonte gjithë familja. Ishte kohë kur krejt veshmbathja e familjes varej nga përpunimi i leshit. E shoqja e Galanit, jo vetëm që e lante leshin me kohë, por ajo nuk linte pa tjerrë e përpunuar edhe shtëllungën e fundit të leshit
Asnjë cukël lesh nuk mund të përpunohej pa larë. As leshlënurësi nuk pranonte ta fuste leshin pa larë në makinën e lënurjes.
Vëllezërit nuk ndaheshin kurrë pa ndonjë sebep. Ndonjëherë edhe një qime leshi bëhej shkak i ndarjes mes vëllezërve.
Bardhi e Galani ishin dy vëllezër punëtorë të dalluar. Ata jetonin mirë. Njeri kishte shtatë e tjetri tetë fëmijë. Kishin të ndara edhe punët e shtëpisë. Galani punonte arat, ndërsa Bardhi kujdesej për tufën e deleve.
Për kohë të gjatë, leshi i deleve ishte pasuri që kushtëzonte mbarëvajtjen e jetës së gjithë familjes. Sa më shumë që rriteshin fëmijët, shtoheshin edhe nevojat e secilit prej tyre. Gjithë veshmbathja, shtroja e mbuloja punoheshin nga leshi. Pas qethjes së deleve, i zoti i shtëpisë, pa vonuar, ndante leshin në masë të barabartë për çdo anëtar të familjes. Hise e njëjtë e leshit i takonte si gjyshit, si fëmijës së porsalindur, apo qoftë edhe atij fëmije që ishte në rrugë për të ardhur në jetë. Kjo mënyrë e ndarjes së leshit kishte funksionuar me shekuj.
Shumë herë i zoti i shtëpisë, duke ndarë leshin emër për emër, për çdo anëtar të familjes, kur i vinte radha ndonjërit që nuk ja donte shpirti punën, ai thoshte si me shpoti “ ky apo kjo, qoftë për hise të leshit”. Hisja e leshit i takonte edhe nuses së ardhshme të shtëpisë, nëse dikush ishte i fejuar.
Jo pak herë, familja e një vajze të fejuar, kërkonte sasi të caktuar të leshit të deleve, ndërsa nëna e një vajze të fejuar, përmes të shoqit, jo pak herë, kërkonte dhe kushtëzonte mikun që ta sillte leshin e lamë.
Puna e leshit pa la, ndonjëherë kishte nxjerrë fjalë e ngatërresa edhe mes vëllezërve të një nënë e të një babai.
Krejt puna e përpunimit të leshit brenda shtëpisë u takonte grave të familjes dhe vajzave të rritura.
E shoqja e Bardhit, nuk gërzhitej fare për përpunimin e leshit. Duke parë se shoqja e tij nuk e përpunonte dot hisen e leshit, Bardhi, në të shumtën e rasteve, e shiste në treg. As me shitje nuk e zgjidhte dot gjithë problemin e përpunimit të domosdoshëm të leshit. Ai detyrohej të blinte veshmbathje të gatshme në treg. Ishin këto punë që shiheshin, por vëllezërit përpiqeshin të ruajnë bashkësinë familjare me çdo kusht. Një ditë ata u ndanë. Nuk qenë ndarë ata pse nuk e ndanin dot leshin, në mënyrë të barabartë, por sebep ishte bërë leshi pa la.
Bardh Hundëleshi, pa kaluar shumë kohë, pasi u nda nga i vëllai, kopenë e deleve ia la të birit.
Sikur nga inati, Bardhi filloi tregtinë pikërisht me lesh pa la. Jo vetëm që shiste leshin pa la, sapo qethte delet e tija, por ai në çdo ditë tregu, priste akshamin për të blerë sa më lirë edhe leshin pa la, që u mbetej pa shitë të tjerëve.
Dyfishoi edhe numrin e deleve për të shtuar sasinë e leshit.
Tregu i leshit gjendej në një lendinë buzë lumit, ngjitë me Shehrin e Mustafë Agës. Sa herë binte shi, nuk kishte kush ku të fuste kokën, apo të strehonte qoftë një qilim apo ca shtëllunga leshi që kishin nxjerrë për shitje. Jo pak herë, ndonjë furtunë me borë apo shi, kishte marrë me veti gjithçka që gjendej në treg.
I vetmi treg leshi në gjithë Vilajetin gjendej në Shehrin e Mustafë Agës, Ishte ai shehër akoma një kasaba me dhjetëra dyqane zejtarësh e tregtarësh, me tri hane e tre mullinj. Brenda shehrit, fare pranë urës, buzë lumit, ishte vetëm tregu i zarzavateve. Tregu i bagëtisë ishte shumë më larg shehrit se tregu i leshit. Me kalimin e kohës, shehri u zgjerua pikërisht andej kah tregu i leshit. Për dy dekada, shehri u zgjerua aq shumë sa që tregu i leshit dukej sikur qëndronte midis shtëpive e dyqaneve të zanatlinjve.
Hallet e njerëzve nëpër bashkësi të mëdha familjare ishin të shumta, por ato, jo pa dashje, mbaheshin sekret.
Duke shitur e stërshitur lesh pa la, Bardh Hundëleshi, me kalimin e kohës, arriti të fuste në dorë gjithë Tregun e Leshit në shehrin e Mustafë Agës..
Lëndina ku shitej leshi mori formë tregu, pikërisht nga puna që bënte Bardhi. Pa ndihmën e askujt, ai rrethoi me gardh thuprash një pjesë të mirë të lëndinës ku shitej leshi dhe të gjitha prodhimet e leshit. Njerëzit kishin parë se ai gardh, megjithëse i thurur me thupra, shitësve u mundësonte që të varnin qilimat, sixhadetë e veshmbathjet e ndryshme, që nga çorapet e deri të tirqit e plisat. Ata që tregtonin tërë ditën, ndonjëherë, qoftë për pak çaste mund të çlodheshin duke mbështetur trupin e tyre për gardhi, sa kohë qëndronin aty.
Bardh Hundëleshi shtroi me kalldrëm edhe gjithë sipërfaqen e tregut, duke i nxjerrë nga balta gjithë ata që kishin punë në këtë treg. Sa më shumë që ajo ngrehinë merrte formë, shtohej edhe numri i shitësve të të gjitha llojeve të prodhimeve të leshit. Për shumë vite, askush nga të parët e shehrit nuk ishte interesuar fare për kushtet e tregut.
Duke parë se nuk mund të priste ndihmë nga askush, aq më pak nga agallarët e bejlerët, Bardh Hundëleshi rrethoi gjithë tregun me mure guri. Vendosi edhe pullaze mbi mure rreth e qark. U krijua një ambient për lakmi, ku shitësit mund të ekspozonin prodhimet e tyre, apo edhe ti linin aty, e të mos i kthenin çdo herë në shtëpi, kur nuk mund t’i shisnin.
Lëndinën e pakufizuar dikur, tashmë, të gjithë quanin Tregu i Bardh Hundëleshit.
Mustafë Aga që zotëronte pasuri sa gjysma e shehrit, nga inati, nuk shkonte kurrë andej kah tregu i leshit. Vetëm kur tregu u rrethua me mure përqark dhe u mbulua me pullaz, Mustafë Aga kishte pyetur çka po ndodhë atje?
Nuk kishte bërë zë Mustafë Aga, por Bardhin e kishte quajtur grykës,
Pastaj, Bardh Hundëleshin, kishin filluar ta quanin grykës edhe tregtarët e tjerë. Bardhi akoma nuk dëgjonte fjalët e hallkut, por aty buzë lumit, filloi të ndërtonte edhe një mulli të ri dy katesh nga guri, megjithëse në shehër kishte tre mullinj. Bardhi qe përkujdesur aq shumë për pamjen e Mullirit sa që ajo ngrehinë kishte filluar t’i bënte karshillak edhe vet sarajit të Agait.
Për kohë të shkurtër, Sarajet e Agait, që ishin pikë orientimi në qytet, humben epitetin e më të bukurit nga Mulliri i Bardhit.
Bardh Hundëleshi më nuk ecte këmbë si dikur, por me pajton.
Dukej ashiqare se Agai më nuk po mund e kapërdinte ngritjen dhe pasurimin e tij. U përpoq me agallarët e tjerë të bënte diçka me ca ankesa, por nuk ia doli të pengonte përparimin e Bardhit.
Pasi nuk i doli gjë nga ankesat, Agai zgjodhi ta spiunonte Bardhin ngado që lëvizte. Angazhoi hafije për të përcjellë kudo që shkonte Bardhi, dhe për ta penguar sa kishte mundësi. Këtë e diktoi edhe Bardhi, i cili punësonte numër të caktuar njerëzish sipas nevojave ditore të tregut edhe të mullirit.
Aq shumë ishin shpeshtuar thashethemet mes atyre që punonin për Again dhe të tjerëve për Bardhin, sa që ishte vështirë të dallohej kush për kë po endte fjalë.
Ishte zor të njihet cili për kë punon, pasi pakkush prej tyre kishte një vend të caktuar pune, ku mund ta njihte dikush. Një mëditje apo një vend pune kishte vlerë të madhe. Pëshpëritej se edhe Bardhi, edhe Agai, hafijeve u jepnin edhe ndopak ryshfet për të ndjekur nga afër çdo fjalë apo lëvizje të njeri tjetrit.
Se kush paguante e kush merrte ryshfet, nuk mund të zbulohej lehtë nga rivalët.
Mund ti paguante Agai ca lira më shumë një rrogëtari të Bardhit për të kuptuar se deri ku ka futur feçkën ai! Shumica e atyre që endnin fjalë, i kishin përshpirt thashethemet.
Askush nuk mund ti binte në fije kësaj pune?
Edhe po të derdhej gjaku diku, nuk zbulohej kurrë se kush me kë ishte ngatërruar.
Kishte rast kur dikush merrte pak bakshish për ndonjë spiunim, ashtu kuturu, vetëm me thashetheme. Kështu, jo pak herë pësonte dikush pa hak e pa hile. Kishte ndodhur që dikush të rrihej për vdekje si spiun i Bardhit apo i Agait, vetëm pse fliste mirë apo keq për njërën apo palën tjetër.
Nga fitimet që nxori nga tregu, Bardhi ndërtoi mullirin më të madh e më të bukur që ishte parë deri atëherë në krejt nahijen.
Njerëzit pëshpëritnin kudo; - athua tash ku do të fus feçkën Bardh Hundëleshi?
– Ai nuk di të ndalet, mendonin njerëzit.
Thashethemet nuk ishin më temë e Agait. Ai moti ishte hutuar aq shumë nga pasurimi i shpejt i Bardhit sa dukej sikur kishte harruar pasurinë e tij.
Bardhi shihej kudo me pajton të ri dhe kuaj më të mirë se të Agait. Nuk bënte asnjë hap vetëm. Për siguri, mori jaranin e tij më të mirë.
– Pse i duhet rojë Bardhit?- pyesnin njerëzit.
– Deri vonë, ai nuk kishte për të shitur gjë tjetër, pos lesh pa larë!- pëshpëritnin smirëzinjtë.
Një ditë, derisa Bardhi po kalonte me pajton mbi urë, një fshatar e pyeti:
– Për ku je nisë o Bardh Hundëleshi?.
– Deri në mulli!- ishte përgjigjur Bardhi.
– Ruaju pak nga zoti, se lesh e miell nuk shkojnë bashkë.
– Mund të bjerë ndonjë qime në miell e pastaj nuk vjen kush për të bluar!- kishte folur me njëfarë tertipi fshatari.
Bardhi ishte prekur goxha mirë nga këto fjalë, pastaj kishte mërmëritur i nervozuar;
– Ma mirë ecë rrugës sate, se Bardh Hundëleshi i di punët e veta.
– Mirë, mirë!- por mos harro çka të thash! - kishte folur fshatari.
Mustafë Aga ia kishte vu syrin jaranit të Bardhit. Të fliste me të drejtpërdrejt i dukej nënçmim. Ai po kërkonte derë si ta spiunonte e ta hiqte qafe tregtarin e parë të leshit në nahije. Edhe në gjumë po i dëftohej truproja e parë e Bardhit. Ditë pas ditësh, Agai mendoi seriozisht se mund ta blinte me lira (ryshfet) pikërisht truprojën e Bardhit.
Derisa vazhdonte njëfarë lufte e pashpallur mes Bardhit e Agait, dy fise afër shehrit të Mustafë Agës ishin rrokë për disa kullosa që shtriheshin mes dy fshatrave të tyre. Ishin vrarë në vend disa fshatarë.
Bardhi e Agai po pasurohen ditë e më tepër, ndërsa fshatarët po vriten mes tyre për kullosa, flinin njerëzit kudo. Edhe ngatërresa për kullosa dukej sikur ishte nxitur me ryshfet.
Pa kaluar disa ditë, Bardh Hundëleshin e varu dikush kur ishte duke lëvizur vetëm. Ai u vra gjatë një shëtitje larg shehrit. Shumëkush kishte shfaqur dyshim se Agai kishte paguar njerëz për ta përcjellë Bardhin në çdo hap.
As atëherë e as pas njëqind vjetësh nuk qe kuptuar kush e vrau Bardh Hundëleshin. Për shumë kohë kishin shpërthyer thashethemet se atë e vrau truproja e tij, për të cilin dyshohej se e kishte paguar vetë Agai. Nuk u kuptua kurrë, as pse qe ndezur pushka mes dy fiseve për kullosa, kur ata nuk kishin pasur kurrë ngatërresa mes tyre. Gjithçka që flitej sikur dëshmonte se Agai i futi në ngatërresë fshatarët për tua marr gjithë lëndinat që shtriheshin mes dy fshatrave, pa paguar asnjë lirë..
Botuar në librin „Tregime t’leshta“ (Prishtinë, 2026).
Faqja e librit →