Adem NimaniShfleto revistën
Tregim

Pashë Dredha

Adem Nimani · · Tregime t’leshta

Djali i djalit të Dren Drenit, sapo u bë burrë, doli ndryshe nga prindërit. Që do bëhet rapsod djali i tyre, ata as që kishin ëndërruar. Ai thurte e këndonte vargje që nuk ishin dëgjuar më parë. Sado që prindërit përpiqeshin t’ia mësonin gjërat e zakonshme, ai gjithmonë bënte diçka të papërfytyrueshme. Asnjëherë nuk i solli bela familjes, siç mund të pretendonte dikush, por ia rriti namin me gjithçka të mirë që i kishte dhuruar natyra mendjes e shtatit të tij, mbi të gjitha, zërin e malësorit.

Kur filloi të shkonte në treg, për pak çaste, Dreni, djali i djalit të Dren Drenit, me zërin e tij kishte filluar të tërhiqte vëmendjen e gjithë miletit.

Vetëm një zot e di, si çka dukej tregu në sytë e tij? Atë dhunti nga natyra, dukej sikur po e shfaqte në një teatër të kohëve të lashta.

Në atë treg nuk kishte tribuna guri. Nuk kishte aty as gladiator e luanë, por lloj-lloj kafshësh shtëpiake që fshatarët i nxirrnin për shitje. Në vend të shikuesve të zgjedhur sipas kastave, aty kishte njerëz të zakonshëm, e në mesin e tyre edhe një malësor me pamje e zë të rrallë. Ai nuk mësonte diçka nga ato që shihte e dëgjonte, por diçka që të tjerët nuk e përfytyronin dot.

Pashai që sundonte Vilajetin, rrallë shihej andej nga tregu i kafshëve që hapej një herë në javë.

Pashai akoma nuk e kishte harruar për asnjë çast arritjen e dekretit perandorak të emërimit të tij në krye të Vilajetit Krra-Krra.

Pashë Dredha ishte duke shkurtuar mustakët e duke krehur mjekrën e zezë para pasqyrës me kornizë ari, kur ia sollën dekretin perandorak. Kishte mbajtur mend gëzimin që kishte përjetuar, por jo edhe këshillat e shkruara nga vetë Padishahu. Dekreti i bërë rrotë, mbështjellë me mushama mëndafshi të kuq, i dukej diçka hyjnore sikur të kishte zbritur nga qielli. Në dekret, mes tjerash shkruante:

Nuk je i pari pasha, që lartmadhëria e dërgon në Vilajetin Krra – Krra.

Atje ka shumë ngatërrestarë, taravolë e inatçinj të pashoq, besnik e të pabesë.

Dhashë pëlqimin për ty, që të sundosh me dorën time të hekurt.

Sa kohë që të shajnë, mos ke frikë!

Nëse fillojnë të këndojnë këngë për ty, jeta juaj është në rrezik.

Pashai dukej andej nga tregu sipas një rregulli që vetë e kishte përcaktuar. Atë ditë që dëgjoi për një këngëtar malësor, të dalluar rishtazi, e kaploi njëfarë dyshimi i fortë për të kuptuar sa më parë, se çka këndon ai malok..

– Me këtë këngë, ky malok, mund të sjell edhe ndonjë të ligë?- kishte menduar pashai.

Herën e dytë kur vizitoi tregun, Pashë Dredha dëgjoi një zë të bukur duke kënduar malësorçe. Pas disa hapash me kalë, pa një grumbull njerëzish që e kishin rrethuar po atë djalin për të cilin flitej. Nuk ia ndërpreu këngën fare, por curroi veshtë mirë për ta dëgjuar. Pas çdo vargu që këndonte malësori i ri, pashai dalloi mirë emrin e tij që përmendej në këngë. Vazhdoi të përpiqej më kot për të kuptuar fjalët tjera.

Kishte katër vjet që Pashai sundonte Vilajetin. Në këto anë ishte e zakonshme ti thurin ndonjë këngë pashallarëve të mëparshëm, edhe atyre që ishin vrarë apo që kishin vdekur moti, por kjo qe hera e parë që një këngë i këndohej vetë pashait të gjallë.

Mbarimi i këngës së malësorit, atë ditë ishte shoqëruar me një murmurimë zërash, britmash e thirrjesh të gjithë atyre njerëzve që e kishin rrethuar djalin. Pashai kishte zbritur nga kali dhe ju kishte afruar malësorit. E kishte shikuar mirë e mirë nga thembrat deri maje koke, por serish pa i thënë edhe një fjalë.

Pashai, me dëshirë do ta kishte pyetur djalin prej nga i ka ra ndërmend të këndonte këngë për një pasha të gjallë? Si mund ti ketë shkuar mendja këtij djali, të këndonte këtu, ku njerëzit zakonisht e shajnë pas shpine, ngado që kalon. I rrapëlloi diçka në kokë për ta pyetur djalin, por shpejt përtypi fjalët.

– Ku me ditë çka mund të pjellë këtu nga pyetja që do t’ia bënte pashai një malësori?-kishte mërmëritur vet me veti.

Ndërkohë, Pashë Dredha kishte mësuar për shumë sjellje të zijoshëve. Një djalë i tillë nuk ishte parë në treg, zot e di se kur. Tashmë kishte filluar ta parafytyronte djalin edhe ushtar në ordhinë e tij.

– Ky malok, me këtë pamje dhe shtat gladiatori, mund t’i bie në sy vetë padishahut! – po i thoshte veti Pashë Dredha.

Ai, shumë më herët se unë, mund të ngritët më lart së unë edhe në hierarkinë e Sulltanit. Sikur filloi ta xhelozonte djalin malësor. Akoma pa provuar ndonjë dredhi malokësh, vendosi ta vizitonte tregun disa javë rresht.

Në ditën tjetër të tregut, Pashai, hipur mbi kalë, përkrahë me dy zapti, larg në rrugë, dëgjoi zërin e bukur të malësorit që përhapej si jehonë, dhe lëshohej si stuhi flladi nga Bjeshkët përbri. Sa më shumë që i afrohej tregut, dallonte më mirë prej nga po shpërndahej ai zë i thekshëm e harmonik, pa shoqëruar me ndonjë dajre të kohës; kavall, fyell apo gajde.

– Nuk ka fyell as gajde që nxjerrë kësi zëri!- frynte e shfrynte pashai, sa më shumë që i afrohej tregut mbush me njerëz. Kaloi për mes grumbullit të malësoreve, që kishin rrethuar djalin. Dëgjoi mirë emrin e vetë që po përmendej në këngë. Djali po këndonte po atë këngë që kishte kënduar edhe një javë më parë.

– Nëse më përmendet emri në këngë, nuk do të thotë që më shajnë? Ata, ndoshta më lavdërojnë?!- mendoi pashai.

– Kuptoj unë ndonjë fjalë të këtyre edepsëzeve, por jo krejt çka ulërijnë e kakarisin ata!

– Zëri i këtij maloku vërtetë është i bukur edhe për oborrin mbretëror!

– Pa kuptuar krejt çka po thotë djali, nuk mund të marrë ndonjë masë kundër tij - i tha vetit. Herën tjetër, më duhet të marr me veti edhe dy a tre tyrxhymenë që sado kudo të kuptojnë ato fjalë dhe të më tregojnë se çka thotë për mua ky malok. Ditë e më tepër, kjo punë filloi ti duket më misterioze.

Grumbulli i njerëzve i lëshoi rrugë pashait që po i afrohej djalit. Pasi e shikoi nga thembrat deri në maje të kokës, ju drejtua djaloshit:

– A mund të më thuash, që ti këndon edhe ndonjë këngë tjetër për mua?-pyeti djalin.

– Kam thurë edhe tri këngë të tjera për ty, pasha i nderuar! – foli djali.

Pashai mbeti pa fjalë. Mbeti gojëhapur si nuk e pyeti paraprakisht për tekstin e këngës që tashmë e kishte dëgjuar herën e kaluar, po në këtë treg.

Sa nuk po pëlciste nga sëkëlldia se çfarë fshihet në tekstet e atyre këngëve të cilat, pasi i këndonte djali, zijoshët i mësonin e i përhapnin shpejt, duke i kënduar edhe në grupe.

Filloi të kujtonte se çka mund ti kishte shkruar Padishahu në dekretin e emërimit. Ju kujtua mirë fjalia: “Nëse këndojnë këngë për ty, jeta e juaj është në rrezik?!”

– Ja tash, në çdo ditë tregu, një djalë i ri malësor po këndon këngë pikërisht për të.

Ngado që kishte kalëruar me zapti, nëpër krejt Vilajetin, kishte dëgjuar këngë për pashallarët e vdekur, por jo për ndonjë pasha të gjallë, siç ishte vetë në këtë rast.

– Sulltani e paska vërejtur mirë gjendjen shpirtërore dhe gjithë sëkëlldinë time para se të vija këtu, mes këtyre maleve e këtyre malokëve të hazdisur, që sa duket nuk njohin tjetër sovran, pos vetës së tyre! - kishte mërmëritur nder dhembë, Pashai.

Me këto mendime, Pashë Dredha me dy zapti, një ditë kalëroi drejt kryeqytetit.

Nuk kishte detyrë më të ngutshme se sa të kuptonte nga goja e vetë Padishahut mananë e atyre këngëve që tashmë po ia këndonin malokët e Vilajetit ku sundonte

– Fol Pasha!- i tha shkurt, padishahu! Mos po këndon dikush këngë për ty?

– Lartmadhëri, atje po këndojnë këngë për mua!

– Ha, ha, ha, kishte qeshur më zë Padishahu!

– Edhe?

– Desha të ju pyes për kuptimin e atyre këngëve?-lartmadhëri!

– Ha, ha, ha, kishte qeshur padishahu, duke shtuar:

– Duket akoma nuk ke kuptuar ndonjë fjalë të atyre këngëve, pasha?

– Herën e dytë që dëgjova atë këngë, tyrxhymenët më thanë se ai malësori po këndon një këngë të bukur për mua. Po më lëvdojnë për trimëri, për bujari, për fisnikëri, për drejtësi....

– Demek, ti vetë, nuk ke kuptua asnjë fjalë të asaj kënge, o tutkun?

– Jo, Lartmadhëri! Nuk kam kuptuar asnjë fjalë, pos emrit tim, që përmendej disa herë, si refren.

– Atëherë, herën tjetër, kur e dëgjon këngën, merr me veti tre a katër tyrxhymenë dhe dëgjo përkthimin e shpjegimin e atyre fjalëve nga secili prej tyre. Pastaj analizo vetë se cili ka përkthye më mirë të vërtetën. Mos harro, se edhe tyrxhymenët të rrejnë!

Pashait gati sa i ra pika, kur padishahu i tha, se edhe tyrxhymenët të rrejnë!

– A është e mundur, se atë ditë, këta tyrxhymenët, të cilët dëgjuan këngën, më kanë rrejt?

– Ata më thanë se kënga qenka e bukur plot lavde për mua?

Akoma kokulur para padishahut, pashai ishte tronditur aq shumë sa nuk kishte parë mbretin kur ishte larguar duke qeshur me zë të lartë; ha, ha, ha, !

Vetëm kur zëri i padishahut ishte bashkuar e tretur me trokun e kuajve, Pashë Dredha, kishte ngre kokën për të shikuar me habi suitën e tij. Dy zaptija po e prisnin urdhrin për të ikur prej aty. Gati sa nuk i pëlciti zemra kur i ra ndërmend se edhe zaptija kanë dëgjuar krejt çka i kishte thënë Padishahu.

Nuk po gjente fjalë, se çka do të bënte me malokun. Gjithçka i shkoi ndërmend, por jo edhe ndonjë ndëshkim a dënim. Donte të kuptonte me çdo kusht se çka këndonte malësori për te.

Iku rreptë nga kryeqyteti, i vrerosur.

Dita e tregut ishte pas një jave.

Kësaj radhe ai do të shkonte në treg, jo me një tyrxhymen e dy zapti të zakonshëm. Do merrte me veti dhjetë zapti e katër tyrxhymenë. Do merrte me veti një dhjetëshe me zapti të armatosur, jo aq shumë për ndonjë rrezik që ndiente, por krejt për çallmë. Mendoi të merrte edhe Ordhinë, po për këtë i duhej arsye e fortë. para se të kërkonte aminin e Padishahut.

Dy zaptit e zakonshëm u habiten kur dëgjuan urdhrin për dhjetë zapti e katër tyrxhymenë?

Dita e re e tregut erdhi shpejt. Pashait i dukej sikur janë pak dhjetë zapti e katër tyrxhymenë? Meraku që ta kishte me veti ordhinë në një ditë tregu, nuk ju kishte shuar për asnjë çast. Me goxha frikë i thoshte vetit me zë, se do të që më mirë të mos ketë nevojë për ordhinë!

– Po, për çka ta kërkoja e ta merrja ordhinë? Për një këngë të një maloku?- sikur kritikoi vetën edhe për çallmën.

Ama, ajo këngë i dukej tepër misterioze. Sa mendonte për lavdet që i ka thurë malësori, mendja i vete edhe të fjalët që maloku mund ti ketë përdorë me tertip.

Ndoshta ato fjalë lavdie të atij maloku për mua, të cilat nuk i kuptova akoma, mund të jenë, ruana zot, edhe thirrje për rebelim të krejt Vilajetit?- mendonte pashai.

Pazari, herët në mëngjes, pa hy akoma asnjë njeri, dukej sikur të ishte rrethuar. Njerëzit nuk guxonin as të shikonin Pashain me zapti. Kishin kaluar disa orë duke pritur, por malësor i ri nuk ishte dukur.

Kishte plot njerëz e bagëti të llojeve të njohura në treg, por zëri i këngëtarit nuk po dëgjohej.

– A është e mundur që ai derr e ka kuptuar qëllimin tim?.

– Nëse ka kuptuar ku isha dhe çka kam biseduar me padishahun, atëherë, ai sahi mund të jetë ose ndonjë lugat apo një shenjtor i vërtetë?

Pashai mendonte, se po të pyeste njerëzit në treg, pse nuk ka ardhur ai këngëtari, ata mund të talleshin me të, ndërsa malokut do ti rritej nami. Sikur filloi ta xhelozonte djalin malësor.

– Vajta edhe në kryeqytet për të pyetur vetë Padishahun, se çka mund të thotë maloku në atë këngë që paska thurë për mua, dhe siç duket dola krejt budalla. Nëse nuk shkoj ta marr lidhur në pranga, ai mund të mos vjen në treg as ditën tjetër. Ai është çafir! Ai është...?!

Pastaj nisi të mendonte mos po bënte mëkat ndaj atij maloku, dhe ai mund ta ketë pasur ndonjë punë tjetër pse nuk ka ardhur?! Gjithçka kishte mbetur pezull deri në ditën tjetër të tregut.

– Të pres një javë një malok kokëtrashë, një qyl, një derr?- nuk mund të durojë një pasha?! Ditë e më tepër i shtohej inati.. Kur me një fjalë e krahasoi djalin malësor me derrin, i ra istikfa.

– Mos po mëkatoj me atë njeri?! – i tha vetit më zë!

Pashai shikoi egër përreth, pa thënë një fjalë. Gjithë shoqëruesit sikur i dukeshin krejt armiq të egër, apo edhe tradhtarë të papërmirësueshëm. Katër tyrxhymenë me dhjetë zapti kishin shkuar kot në treg. Këngëtari malësor nuk ishte parë andej. Pashai po pësonte disfatë nga inati. Edhe javën tjetër e kaloi pa gjumë.

Për të mos lënë diçka mangu, serish mori dhjetë zapti me katër tyrxhymenë dhe mësyu tregun e qytetit.

Tagrambledhësit që zakonisht arrinin të parët në treg, kur kishin parë pashain aq herët, që kishte rrethuar tregun para tyre me dhjetë zapti e me katër tyrxhymen, nuk po e përfytyronin se çka mund të ketë ndodhur. Nuk guxonte kush të pyeste gjë. As guxonte dikush të shushuriste se çka po ndodhte aty. Në anën tjetër, pashai sa nuk po pëlciste nga marazi. Këngëtari malësor nuk po dukej gjëkundi. Pashai donte të dinte me çdo kusht përmbajtjen e këngëve që ai malok po këndonte për të.

– Këtu dikush ka për ta ngrënë kokën e vet: o unë o ai malok?- deshi të thoshte më zë pashai, por prapë i përtypi fjalët. Tregu filloi të mbushej me njerëz. Pashai, vetë i pesëmbëdhjeti, po priste e shikonte kot. Nga inati, mund të bërtiste me zë; kush është ai malok për mua? Kështu ia thoshin mendja e zemra bashkë, por nuk ia nxirrte dot goja.

– Një pasha të pyes për një malok? – kjo nuk ka për të ndodhur kurrë! - fliste vet me veti.

Priti aty gjithë ditën, por kot. Pazari ishte zbrazur para muzgut. Tek atëherë, pashai me suitën e tij, ngrehi pelën për të ikur nëpër terr.

Hipur mbi kalë, kokulur e zemërplasur, mendonte;

– Ma punoi! Ma punoi rezili! Ma punoi ai derr!...

Aty për aty i binte pishman mendimeve të tija.

Kthehej e mendonte mos po mëkaton ndaj malësorit. Ndoshta ai edepsëz këndon për mua me zemër?! Kujtonte se ç’ bëri për aq shumë javë, për t’ia lexuar dredhitë malësorit, por kot.

Nga çasti në çast shfaqte dyshim, në mos ai malësori mund të jetë i mbërrimë (evlia)?!

Pashai kryeneç, gati ishte bindur plotësisht, se maloku po ia lexuaka çdo mendim!

Kaluan edhe shumë javë të tjera. Pashai shkonte më rrallë në treg. Ai kalëronte andej me zapti vetëm befas. Nuk bëri punë as kjo mënyrë e vizitës së pashait, pasi ditë tregu ishte vetëm një herë në javë. Më nuk kishte asnjë ide çka të bënte më tutje dhe ta zinte në kurth malësorin.

Pas shumë javësh, malësori ishte dukur i gëzuar në treg. Ai serish, këndonte një këngë të bukur. Nga frika që kishte shkaktuar pashai me ato vizita në ditën e tregut, këngëtarin e kishin rrethuar më pak njerëz së zakonisht. I shkoi haberi pashait, se ai maloku ka kënduar serish në treg.

Kur dëgjoi lajmin, Pashë Dredha gati u çmend.

– Ai malok, ndoshta mund të jetë një koçak, dhe me ato fjalë që këndon ndoshta me shanë, por këta tyrxhymenët nuk e kuptojnë dhe më mashtrojnë.

Dukej sikur pashai e gjeti çelësin e zgjidhjes së misterit të këngës malësorçe, që këndonte djali. Vendosi që përmes njerëzve të tij, të pyeste tinëz, ku ka shtëpinë maloku dhe të shkonte atje e ta zinte befas, qoftë edhe në gjumë.

Një ditë të vështirë me borë e shi, pashai kontrolloi kot shtëpinë e malësorit. Ai nuk ishte aty. E ëma e Drenit u tregoi se i biri i saj ka dal diku tash tri javë, sakaq nuk e kanë njoftuar vet pashain për zhdukjen e djalit. Po Dren Dreni nuk do të kishte atë emër, po të mos ua punonte të gjithëve.

Në ndërkohë Padishahu kishte menduar gjatë për punën e pashait të egër.

Nga ajo ditë që Pashë Dredha e kishte njoftuar për këngën që po ja këndojnë, lartmadhëria ishte bindur se jeta e tij është në rrezik. Kishte katër vjet sundim në Vilajet. Askush nuk kishte bërë as sherrin më të vogël. Pashai ua kishte futë frikën miletit deri në palcë. Tash, ata, më nuk kanë guxim ta shajnë apo ta sulmojnë pashain, por kanë filluar ti këndojnë këngë! Madje ato këngë janë shpërndarë e po këndohen anë e tej Vilajetit!

– Ky është asharet i keq!-mendoi padishahu. Kur ta këndojnë këngën për së gjalli, ata malokë mund të kenë përgatitur ndonjë të zezë të madhe.

Padishahu nuk priti më. Mori bojën dhe shkroi iraden:

– Pashë Dredha të largohet prej aty!

Si zakonisht, krejt sekret, ordhia e zezë, kalëroi tërë natën për ta dërguar iraden në vend. Mëngjesi nuk e zuri pashain aty ku po i këndohej kënga.

Malokët, më nuk po i këndonin pashait vetëm këngë malësorçe, të cilat nuk i kuptonin as vetë, por filluan të këndojnë rapsodi të tjera më të gjata e më të bukura, më shumë lavde. Ata i thurën edhe këngë të tjera pashait të larguar. I këndonin këngë për bujarinë, fisnikërinë, moralin e lartë! Pa kaluar dy vjet, këngët që po i këndoheshin pashait të larguar, kishin arritur edhe në vilajetin tjetër ku e kishte dërguar sulltani.

Një ditë vetë pashai kishte dëgjuar dy rapsodë duke kënduar për të në një han të njohur atje ku sundonte. Nga lavdet që i këndoheshin, u përmallua fort, sa i rrodhën lotët.

– Paskam gabuar me ata malësorë!-foli më zë. Ata më paskan dashur e lavdëruar me të vërtetë, por unë paskam bërë mëkat ndaj tyre..

– Dua të kthehem serish atje! Dua të kthehem tek ata njerëz malësor, trima, bujarë e fisnik. Ata më duan fort. Çfarë kënge të bukur kanë thurë për mua? Sa mosmirënjohës që jam dëshmuar ndaj tyre. Ika pikërisht kur ata malësorë po thurnin e këndonin këngët për mua.

Urdhëroi qatipin të shkruante një kërkesë sulltanit për kthimin e tij në Vilajetin e mëparshëm.

Lajmi i shkoi shpejt sulltanit. Pashë Dredha, dëshiron të kthehet atje prej nga e keni larguar më parë.

Padishahu, pasi lexoi vetëm një fjali, qeshi me zë të lartë!.

– Ha, ha, ha! Po ai pasha, vërtetë është dallkauk, ai është sapuk, është tutkun, krejt budalla. Ai mendon se ato këngë ia këndojnë pse e duan shumë?!

– Ha, ha, ha!

Mori bojën dhe shkroi iraden.

– Lejoj Pashë Dredhën të kthehet atje ku dëshiron. Le ta di mirë se ata malokë nuk e duan fare!

Ata me këngë duan t’ia bëjnë varrin! Merre me veti ordhinë me ushtarë për mbrojtjen tuaj.

Irada arriti shpejt në sarajin e ri të pashait. E lexoi me gëzim. U përpoq edhe vetë të këndonte malësorçe që po kthehej atje në Vilajetin ku e duan, pa ditur edhe një fjalë që thoshte ai malësori. Gati sa nuk u turpërua nga vetvetja.

– Do kthehem atje ku këndojnë lavdinë time. Ja që edhe padishahu nuk beson që ata malësor më duan, pasi ai nuk i ka dëgjuar këto këngë?! Asnjë fjalë që kishte shkruar padishahu nuk e vuri në dyshim, por as nuk e mori parasysh.. Ai ishte mbushur top me gëzim që po kthehej në Vilajetin e mëparshëm.

– Nuk pranoj të më përcjellë askush. Më duhen vetëm dy zapti dhe qatipi! Ata malësorë janë trima të patrembur dhe me duan përnjëmend.

Udhëtoi vetë i katërti, me tre kuaj dhe një mushkë ngarkuar me defterë. Zemra i rrihte më shpesh duke kaluar maleve të larta me plot burime uji e gjelbërim. As nuk i shkonte mendja për ndonjë dredhi. As nuk i shkonte mendja pse malësorët që nga dita e parë ia kishin vu emrin Pashë Dredha!

– Nuk beson padishahu që më duan vërtetë këta malësorë, trima e fisnik?! Ai këta njerëz i sheh vetëm si koçak, hajdut e pirat.

Karvani i pashait ndaloi për pushim në honin e parë të Vilajetit ku kishte sunduar para katër vjetësh. Hanxhiu i rehatoi kuajt, dhe shkarkoi barrën nga mushka. Pashai, vetë i katërti, u ulen në mindere dhe porositen kafetë e zakonshme. I shkoi mendja pashait për të pirë një gotë të madhe me raki, por i mungoi guximi, akoma pa bërë hapin e parë, kur po kthehej në Vilajetin që kishte kërkuar vetë. Të katërtit, pinë kafetë dhe u shtrinë të pushojnë.

Ata nuk u zgjuan më.

Haberi i shkoi shpejt padishahut.

Pashai, vetë i katërti vdiq i helmuar në hanin e parë të Vilajetit ku e keni emëruar dhe ku po kthehej me kërkesën dhe dëshirën e tij. Sulltani nuk e vajtoi, por qeshi me zë!

Ha, ha, ha! E kam ditur se ai pasha është trim i madh, por është tutkun, krejt budalla. I thash merre me veti ordhinë! Ai tutkun nuk meriton as varr në tokën e shenjtë të perandorisë.

Botuar në librin „Tregime t’leshta“ (Prishtinë, 2026).

Faqja e librit →