Adem NimaniShfleto revistën
Tregim

Besë me orë

Adem Nimani · · Tregime t’leshta

Babë e bir, secili kishin bërë nga njëzet vjet burg, por nuk ishin kthyer të gjallë në shtëpi. Dangalli, i biri i Bardhit, atë ditë që po kthehej nga burgu nuk kishte besë. E dinte mirë. Edhe pse po kthehej natën, ai gjatë gjithë qëndrimit në burg nuk i kishte lenë vetës derë shpëtimi. As që i shkonte mendja për gruan dhe djalin e sapolindur që kishte lenë, e i cili po mbushte njëzetë vjet e që po e prisnin në shtëpi. Ai ditë e atë natë mendonte vetëm për pritat e hasmëve. Ai ishte i bindur se ngado që kalon, hasmit janë duke e pritur.

Atë ditë që Kryeplaku i Zezës shkoi për të nxjerrë besë për familjen e Dangallit, ishte kthye vonë në shtëpi. Natën kishte njoftuar Dangallin që hasmi i ka dhënë dy javë besë. Gjatë gjithë udhëtimit kishte menduar që djalit t’i japi edhe ndonjë këshillë, por edhe kësaj radhe e kishte bërë punën asgjë dhe nuk e kishte zgjatur bisedën më shumë se lajmin.

Ishte dita e fundit e besës, kur Kryeplaku, kishte dëgjua që Dangalli kishte mbytur Vrrinin për hije lisi. Aty për aty kishte fajësuar edhe veten, pse nuk e kishte këshilluar me kohë.

Ai që ka besë, ka edhe përgjegjësi po aq sa tjetri që i ka dhënë fjalën.

Kryeplaku kishte menduar seriozisht se edhe familja e vrasësit, kur është në besë, nëse vret dikë tjetër, jo vetëm që bën tjetër hasëm, por shkel edhe besën.

Kryeplaku po mendonte se tash besën e kishte shkel ai që kishte marr besë, e jo ai që i kishte dhënë besë! Kishte ndjerë përgjegjësi të përshkuar me dhembje shpirtërore, pse para dy javësh nuk e pat këshilluar Dangallin, qoftë edhe vetëm me një fjalë.

* * *

Dangalli kur kishte ardhur në jetë, familja e kishin pagëzuar Dan. Jo vetëm sa ishte i vogël, por edhe kur u bë burrë, rrëzohej lehtë kudo e për çka do. Me kalimin e kohës, zijoshët ia vunë nofkën Dangall. Ishte i vetmi fëmijë i familjes. I ati i tij kishte rënë në burg, pa marr këmbët mirë i biri. Dani ose Dangalli u rrit vetëm me të ëmën, të cilës shpejt iu bë krah punë. Duke bërë jetë në besë, përherë i shmangej rrugës së zakonshme. Zijoshët mund ta shihnin në rrugë vetëm kur nuk kishte nga t’ia mbante. Me kohë mësoi të kalëronte andej kah nuk ecë askush. Sa herë ecte rrugës, dallohej nga larg. Të gjithë ia njihnin hapat. Dukej sikur po ecë nëpër cunga. Hapat e tij më shumë i ngjanin kërcimit nëpër gropa. Rrëzohej edhe midis rrafshi. Sa herë rrëzohej Dangalli, zijoshët mezi prisnin për t’ ia plasuar gazit siç e kishin zakon. Edhe e ëma e thërriste me nofkën që ia lanë zijoshët. Me kalimin e kohës gati sa nuk harroi edhe emrin e vet të parë, Dan. Bënte njëfarë jete gjysmë ilegale në fshatin dhe në shtëpinë e vet. Meqenëse të atin e kishte në burg, e ëma, atë nuk e kishte lënë të shkonte në shkollë as edhe një ditë. Nëna nuk e kishte lejuar, as të lozte ndonjëherë me fëmijët tjerë. Prindërit e kishin këshilluar shumë herë çka është jeta në besë dhe si duhet të ruhet.

Ashtu, duke ikur nga njerëzit, i shmangej edhe ngacmimeve të zakonshme të zijoshëve. Pa mbushur dhjetë vjet Dangalli, i ati i tij vdiq në burg.

Si pati si nuk pati besë, prej kur kishte rënë në bela familja e tij, ai kishte vazhduar t’i shmangej rrugës së zakonshme. Të gjithë kishin kuptuar pse ai nuk ecë rrugës. Dikush edhe tallej duke thënë, se Dangalli nuk di të ecë rrugës. Sa herë shihte ndonjë njeri, apo dëgjonte ndonjë zë, fshihej si lepuri. Trembej edhe nga shushuritja më e vogël. Nuk rrinte kurrë as afër tufës së deleve, për të mos u diktuar. As nuk qëndronte afër deleve kur ato ishin në kullotë.

Për vendin se ku i kishte delet në fushë, orientohej më shumë nga tingujt e kambanës së ogiçit, që i printe tufës.

Jetonte larg syve të njerëzve dhe rrallë mund ta shihte dikush në fushë. Vëzhgonte dy herë më shumë çdo lëvizje të njerëzve. Prej kur si fëmijë kishte kuptuar që jetonte në besë, kishte frikë nga rruga.

Sa herë kërkonte besë, i dukej sikur po kërkon leje për jetë!

Sapo e njoftonte Kryeplaku i fshatit për sa kohë ka marr besë, ai fillonte të numëronte javët, ditët dhe orët që kalonin. Kur dikush i jepte gajret, që të mos këtë frikë për sa ditë të ketë besë, sapo dëgjonte këtë fjalë, ai trembej edhe më tepër. Fliste jermi edhe në gjumë

Po nëse hasmi nuk më jep besë, qoftë edhe një ditë, atëherë si mbetet puna ime, mendonte shumë herë! Harroj për ku jam nisur, pasi çdo herë më duhet t’i shmangëm rrugës së njohur. Shumë herë mendonte vet me veti se as hasmi nuk ecë rrugës së njohur.

Vetëm po të dëgjoni si përgjigjen njerëzit e ngujuar, do të kuptoni më mirë çfarë jete bëjnë ata. Dangalli nuk kishte reshtur së menduari pse jeta e tij varët nga hasmi.

Hasmi përherë më ka ndërmend mua, aq sa unë atë. Asnjëri prej nesh nuk mendon mirë për tjetrin. Edhe ai edhe unë përpiqemi të mos harrojmë njeri tjetrin për asnjë çast. Ai me ruan kur dal, unë e ruaj kah shkon! Ditë e natë, në pritë jemi të dytë. Nuk bëj një hap pa menduar për hasmin. Po harrova hasmin një minutë, - tak! Ecë e merre vesh kush kujt i ka zënë pritë? Tak! Taak, taaak!

Edhe kur e sheh kah ecë, nuk e kupton a ka dal ai burrë në mejdan, pasi iu ka mërzitë jeta ngujuar, apo është duke shkuar për t’i dal dikujt në pritë? Për të, jeta dhe vdekja janë bërë një. Ai dukej sikur ecë tepër serbes, për të qenë nën besë. Dukej edhe tepër trim për t’i dal në pritë dikujt krejt ashiqare.

Dangalli vazhdimisht mendonte, pse edhe pas vuajtjes së dënimit, hasmëria nuk përfundon!?

Hasmërinë e mbyll vetëm pajtimi, i thoshte vetës çdo herë.

Ora iu kishte ndalur atë ditë, që duke numëruar ditët e besës, ngeci në kurth. Po dilte nga burgu pas njëzet vjetësh me ato mendime që kur kishte hy aty. Njëzet vjet kishte kaluar duke ëndërruar shteg shpëtimi nga pritat e hasmëve, që ia kishte lënë i ati dhe tash, ato prita i kishte shtuar dyfish me dorën e vet. Kërkonte shtegdalje edhe nga një vrimë gjilpëre për t’iu shmangur pritave që konstruktonte vet, ditë e natë. Gjatë gjithë kohës sa kaloi në burg, imagjinonte sesi të përgjonte hasmin në çdo hap. Ishte munduar t’ia zhbironte hasmit edhe trurin e t’ia lexonte mendimet, duke mbetur ashtu këmbë e krye peng i tij. Të gjitha pritat e kurthet që paramendonte, nuk ishin gjë tjetër pos trille me të cilat jetonte prej kohës, kur si fëmijë ishte rritur në besë. Ai ishte tjetërsuar fare, por për këtë nuk i kishte vajtur mendja asnjëherë.

Hasmin që ia la babai, as që e njihte fare. Ishte i ri, akoma i mitur, kur i ati kishte rënë në burg për vrasje. Dangalli u rrit e u martua, por babin e tij nuk e pa të kthehej i gjallë nga burgu. Ai kishte ndërruar jetë në burg, pa përfunduar dënimin. Vëllezërit e Vrrinit, që i kishte bërë hasëm me dorën e vet, ishin gjashtë. I kishte njohur ata një për një që nga fëmijëria. Për dy dekada që kishte vuajtur në burg, nuk mund të paramendonte aq shumë ndryshime që mund të kenë pësuar ata. Të gjashtë vëllezërit e Vrrinit ishin bërë burra e martuar njëri pas tjetrit. Ishin rritë edhe shumë nipër të tyre.

Tash kur po dilte nga burgu, pritat vetëm sa ishin shumëzuar. Me trillet që i pillte mendja, mund të ruhej lehtë nga një pritë e hasmit të vjetër apo të riut, por nuk dilte dot gjallë nga gjashtë kurthet, që tash ata mund t’ia kurdisnin përnjëherë. Ishte përpjekur kot të lodronte edhe nëpër ëndrrat e hasmëve. Shpesh e kaplonte dëshpërimi, pse nuk gjente shtegdalje. Ky ishte një i vetëm, ndërsa hasmit ishin gjashtë, pa numëruar të vjetrin, që ia la i ati. Të gjithë ishin burra për pushkë. As me ëndrra nuk iu bënte ballë të gjithëve. Sa herë i numëronte, i dukej sikur shumoheshin. Ata, mund t’i zënë gjashtë prita përnjëherë. Mund të imagjinojnë e kurdisin ata edhe gjashtë herë më shumë prita se që trillon Dangalli me rradaken e tij. Mund edhe ta vrasin të gjashtit përnjëherë!? Sa herë shpresonte që ka gjetur shteg shpëtimi nga një pritë, mendja i vete të hasmi, që ia kishte lënë i ati. Vetes nuk po i lente shteg shpëtimi as në ëndrra. Mundohej të konstruktonte pamjet e vëllezërve të Vrrinit, por ata ishin gjashtë dhe kishin po aq pamje, të cilat ndryshonin përditë. Pëshpëriste vet me veti edhe për djemtë e Bardhecit, të vëllait të madh të Vrrinit, që tash ishin bërë burra dhe si edhe ata tash mund të qesin pushkë.

Hasmit mund ta kapin nga krahu e të mos i njoh. Të gjashtë vëllezërit e Vrrinit, që dikur i kishte njohur mirë, tash i dukeshin krejt të panjohur. Ata mund të ishin edhe më shumë. Ishin rritur edhe nipërit e tyre. Donte të dinte gjithçka për hasmit, por këtë nuk ia përthekonte dot mendja. Donte të dinte gjithçka që nuk ka ditur më parë, sa ishte gjallë Vrrini vet i shtati vëlla, por krejt i dukej kot.

Tash kur kishte dal nga burgu, dukej plak fare. Më shumë i ngjante një njeriu të humbur që ka jetuar në mal apo në ndonjë shpellë. Në këtë gjendje, zor se mund ta njihnin edhe hasmit e tij. Nuk i ngjante më atij Dangallit të dikurshëm, të cilit nuk ia dinte kush një fjalë të ligë deri atë ditë, kur për hije lisi, me dorën e vet ngriti kërrutën, dhe me një të rënë mbyti Vrrinin.

Deri atë ditë të zezë, as që i kishte vajtur mendja për të numëruar ditët e besës, apo meazallah të numëronte sa vëllezër kishte lënë Vrrini. Vetëm pasi kishte rënë në burg, kishte filluar t’ua kujtonte e numëronte emrat e hasmëve, dhe ata i kishin dal gjashtë, pa numëruar hasmin që ia kishte lënë i ati.

Për njëzet vjet, Dangalli nuk e harroi atë ditë, kur po kthente tufën drejt mrizit, ndërsa delet e Vrrinit, ia kishin zënë hijen përpara. Për një çast, delet e Vrrinit iu kishin dukur si zana mali, që ia kishin prerë rrugën. Nuk kishin faj delet, pse ky kishte kaluar gjithë ditën duke numëruar ditët dhe orët e besës që po kalonte, ndërsa gruaja e tij akoma nuk kishte lindur fëmijën që priste. Në atë vapë gushti, e dinte se delet e Vrrinit nuk mund t’i nxirrte lehtë nga hija. Kishte plot hije të tjera afër, por as i shkoi mendja për to.

Numërimi i ditëve të besës për të ishte bërë makth.

Babi i tij kishte vdekur në burg, pa pasur rast për të provuar as një përpjekje pajtimi me hasmin. Gjatë gjithë kohës, sa ishte gjallë i ati i tij në burg, Dangalli nuk kishte dal nga shtëpia pa marr besë. Kështu kishte llogaritur edhe dy javët e fundit të besës që nxori për të, Kryeplaku i fshatit. Kishte menduar që brenda atyre ditëve, e shoqja do të lind fëmijën, e do të kthehet nga spitali. Dita e lindjes së fëmijës së parë nga e shoqja kishte ardhur, por Dangalli, nuk kishte pritur t’ia thonë lajmin.

Të mrizi kishte përfunduar gjithçka. Vrrinin e kishte mbytur me një të rënë. Më nuk kishte menduar as për hasmin e vjetër as për të riun. Ai kishte pritur vetëm policinë që ta marrin nga shtëpia për ta dërguar në burg ku e priste dënimi prej njëzet vjetësh.

Ishte djalë i vetëm në familje. Ishte fejuar akoma sa kishte qenë fëmijë dhe qe martuar pas vdekjes së të atit në burg. Dangalli u martua, por i ati nuk ia doli të kthehet i gjallë nga burgu, duke ia lënë të birit gjakun në shpinë.

Ditën që vrau Vrrinin ishte nën besë të hasmit, që ia kishte lënë i ati. Ajo ditë iu kishte ngulitur në mendje, dhe me ato mendime kishte kaluar plot njëzet vjet burg. Sipas llogaritjes së tij, doli se dy javë besë nuk kishin mjaftuar për lindjen, qe kishte pritur e shoqja. As ditët e shtatzënisë të së shoqes, nuk i kishin dal sipas llogaritjes. Gjithçka i dukej krejt e ngatërruar. Edhe ditët e besës, herë-herë i dilnin me shumë e herë-herë me pak. Pastaj kishte filluar të numëroj edhe orët e besës.

Delet zakonisht i linte nën hije dhe vet kthehej në shtëpi. Këtë herë nuk kishte arritur të shkoj tek e ëma dhe të kuptoj, se të shoqen duhej ta dërgonte në spital për lindje. Lajmin e mori, por vetëm pasi e mbyti Vrrinin nën hije. Më nuk kishte çka të thoshte, as çka të dëgjonte. Vet përfundoi në burg. Të shoqen e Dangallit, në spitalin e lindjes e dërgoi i vëllai i saj. E ëma mbeti cung vetëm në shtëpi.

Kur po mbaronte edhe ditën e fundit të burgut, duhej të kthehej në shtëpi, por mendimet e zeza nuk e linin të qetë për asnjë çast. Akoma mendonte për atë ditën e fundit të besës, atë ditën prej të cilës nuk arriti të kthehet me besë në shtëpi. Akoma mendonte, në mos ditët e besës mund të kishin përfunduar në mesnatë, apo vazhdonin vetëm deri në mbrëmjen e asaj dite.

– Djall e punë kjo jeta nën besë, me orë e me minuta, ! - i kishte thënë vetës shumë herë! Kjo jetë kështu, as që i ngjanë jetës!

Sa shumë i kishte tjerrë, tëholluar e zgjatur ditët e besës, por nuk i kishin mjaftuar asnjëherë. Përditë dyshonte se numërimin e ditëve të kaluara të besës, nuk e ka bërë mirë. Herë-herë i vete mendja tek hasmi, në mos edhe ai mund të ketë ngatërruar numërimin e ditëve të besës. Mendonte se hasmi mund të ketë numëruar ditët ndryshe, dhe ky numërim mund të ishte fatal për të.

Mund të kem besë edhe një orë, por hasmi ndoshta nuk e matë besën me orë!? Hasmi mund të mendojë se kanë kaluar ditët e besës në mesditë, apo edhe në drekë. Deri të kthehem në shtëpi, mund të vonohem një orë a dy, dhe ja – prita! Dhe ja - Tak!

Kishte apo nuk kishte besë, nuk kishte dilemë për te, por tash kishte rastisur që lindja të ndodhë pikërisht në ditën e fundit, kur kalonte afati dyjavësh i besës.

Dangalli nuk i besonte as vetvetes. Kishte filluar edhe të dyshonte që hasmi e ka llogaritur mirë këtë kurth. Nuk ia përthekonte mendja si është e mundur që hasmi të ketë llogaritur edhe ditën kur lind e shoqja e tij. Pyeste vetën, si mund ta ketë ditur hasmi që Dangalli duhet ta dërgoj të shoqen për lindje në spital, pikërisht në ditën e fundit të besës!?

* * *

Tash, kur kishte dal nga burgu dhe po udhëtonte drejt shtëpisë, mendja po i vete pa ndalur në pritën që ia kishte vendosur vetvetes në rrugën e fshatit, andej nga gryka, të Guri Petak.

Kush mund t’ia ketë zënë pritën?

Sa prita mund t’ia kenë nxënë hasmit nuk i numëronte dot, por po udhëtonte me bindje se hasmin e ka në pritë. Për të kishte mbetur enigmë edhe shtegu i shpëtimit nga pritat që i kurdiste vetvetes orë e çast.

Mund t’ia kenë zënë pritën përnjëherë hasmi i vjetër dhe i riu që e bëri me dorën e vet.

Ata vetëm kanë pritur ditën, kur Dangalli kthehet nga burgu në shtëpi, dhe kur nuk ka nxjerrë besë nga asnjëri prej hasmëve, mendonte vet me veti në çdo hap që bënte.

Mund t’i binte rreth e qark katundit, andej kah Rrasa e Madhe, dhe kështu mund ta zinte mëngjesi, derisa të kthehej në shtëpi. Edhe po të udhëtonte rrugës së gjatë, i dukej sikur nuk shpëtonte dot, pasi gjashtë vëllezërit e Vrrinit, lehtë mund t’i zënë pritën edhe andejpari. Kishte mbetur peng i asaj ditës së fundit të besës, për të cilën nuk arriti të kuptoj, a kishte besë apo jo.

Llogaritja e ditëve të besës iu kishte bërë sëmundje. Në atë gjendje s’ ishte i aftë të numëronte si duhet as gishtat e dorës, lëre më ditët e orët e kaluara të besës. Kur ka filluar llogaritjen e ditëve të besës hasmi e kur Dangalli, kjo ishte enigma të cilën nuk e zbërthente dot! Nuk arrinte të kuptonte si hasmi paska llogaritur saktë ditën kur do lindte fëmijën e shoqja e tij. Vetë pyeste dhe vet përgjigjej me një fjalë. Gjithçka iu kishte dukur kurth i kurdisur.

Ashtu si mendoj unë t’i shmangem pritës, ashtu mendon edhe hasmi të më zë pritën. Ata janë shumë vëllezër. Mundë të më zënë pritën në të dyja rrugët, ngado e kurdo që kthehem në shtëpi, natën apo ditën. E vrava një prej tyre, por ata janë edhe gjashtë. Ata mund të më zënë gjashtë prita njëherësh. Ata e dinë që sot kur kthehem nga burgu në shtëpi, nuk kam besë.

Kur po kthehej nga burgu, i duhej të priste autobusin e mbrëmjes që shkonte në fshat. Të merrte ndonjë taksi, kishte frikë se mund të binte më lehtë në pritë. Andej nga fshati qarkullonin pak makina. Kishte njëzet vjet që nuk kishte ecë asaj rruge, të cilën dikur e njihte me sy mbyllur. Ishte ndërtuar udha e re mes-përmes fshatit, por atë nuk e kishte parë akoma dhe as i vajti mendja për të. Dritat e makinave që shkonin në drejtimet tjera, ia vështirësonin dallimin e autobusit kur do të vinte për t’i dal para bri rrugës. Nuk mund të rrinte aq shumë kohë larg rrugës kryesore, për të mos i ikur autobusi. Kishte menduar të shikonte mirë e mirë edhe kush mund të ishte në autobus. Edhe kjo puna e shikimit të njerëzve drejt në sy, i dukej me rrezik. Frikësohej t’i bjerë në sy secilit udhëtar, aq më pak hasmit që mund të ishte në autobus.

Gati kishte harruar gjakun që ia kishte lënë në shpinë i ati, duke menduar për gjashtë vëllezërit e Vrrinit. Hasmi që ja la i ati kishte shtëpinë larg në fshatin tjetër, por vëllezërit e Vrrinit i kishte aty afër, përballë shtëpisë. Atë ditë që doli nga burgu më nuk kishte pse të numëronte ditët e besës, pasi po udhëtonte pa nxjerrë besë as nga hasmi i ri e as nga i vjetri. Megjithëse kishte kaluar plot njëzet vjet burg sipas ligjit, as një hap nuk mund e bënte pa frikë nga hakmarrja sipas kanunit.

Dangalli nuk kishte mësuar asgjë nga jeta nën besë dhe serish po udhëtonte pa nxjerrë besë. Ai kishte vuajtur dënimin e plotë për vrasje, por me hasmit nuk ishte pajtuar dhe akoma as që kishte pasur rast për të kërkuar besë prej tyre. Cili prej hasmëve mund t’i këtë zënë pritën, nuk e kishte idenë, por kurthet e pritat i kurdiste vet.

Për njëzet vjet, shumë rrugë fshati ishin zgjeruar e ndërtuar të reja. Dangalli kishte në mendje vetëm dy rrugët e moçme. Rruga për në shtëpi, andej kah Guri Petak ishte shumë më e shkurtër se ajo kah Rrasa e Madhe. Rruga tjetër ishte rrugë zori. Andej përreth fshatit, njerëzit shkonin për të kaluar mbi urë, vetëm kur kishte reshje të mëdha shiu, apo kur shkrihej bora ndër male.

Vet kishte zgjedhur të udhëtonte kah Guri Petak.

Burgun për vrasjen e Vrrinit e kishte mbaruar, por tash për çdo hap që do të bënte i duhej të kërkonte besë.

Pa u pajtuar me hasmin, vuajtja e dënimit sipas ligjit ishte kot fare.

Çdo lëvizje pa nxjerrë besë, për të mund të ishte fatale. I dukej sikur rruga po zgjatej. Në mendje po i rëndonte shtegu kah Guri Petak. Duhej të kalonte mes dy shkëmbinjve të lartë, aty ku humnera rri si përbindësh bri rrugës për të gëlltitur çdo njeri apo kafshë të pakujdesshme. I dukej sikur edhe koha ishte ndalur. Po ecte drejt shtëpisë pa një fije gëzimi. As i shkonte mendja për djalin, tash njëzetë vjeçar, që e priste në shtëpi me të ëmën.

Dangalli po mendonte, nëse hasmi ka kurdisë pritën të Guri Petak, s’ka shpëtim. Kah Rrasa e Madhe, duhet të kalojë poshtë Përroit të Keq, që tash ka shumë ujë.

Ai po e gjykonte vetën duke pritur autobusin e fundit që qonte në katund. Ishte bërë prokuror e gjykatës i vetvetes, që nga ajo ditë, kur pa menduar fare, mbyti Vrrinin.

* * *

Autobusi frenoi rreptë për të zbritur dikush krejt afër këmbëve të tij. Hyri në autobus. Nuk kishte guxim të shikonte asnjë udhëtar në fytyrë. Hasmi mund të ishte në autobus! Aty mund të ishte ndonjëri nga gjashtë vëllezërit e Vrrinit. Mund të ishte edhe ai hasmi i moçëm, të cilin ia kishte lënë në shpinë i ati, e të cilin as nuk e njihte fare. Ishte i vendosur të mos shikonte asnjeri në sy. Nuk i hiqej nga mendja se dikush mund ta njihte, pastaj mund të behej nami, dhe ta qëllonte si rrufeja nga qielli, aty midis udhëtarëve në autobus.

Mendonte a është e mundur t’i njoh njerëzit edhe pa i parë me sy fare. Mendonte t’ua dallonte edhe hapat hasmëve. Duhet të mësonte të lexonte e kuptonte mirë çdo pëshpëritje, çdo shushurimë, çdo zë, çdo fjalë e çdo lëvizje. Për t’iu shmangur pritës, edhe po t’i ketë dy palë sy e dy palë vesh, nuk mjaftojnë. Hasmi ishte ulur e po rrinte galuc në trurin e tij.

Derisa autobusi shpejtonte drejt stacionit të fundit, Dangalli kujtoi ditën që vrau Vrrinin për hije lisi.

Përsiaste se sa të pafat ishin të dytë atë ditë. Sa shumë hije lisash kishte aty!

As nuk kishte menduar për të tjera hije që kishte në të katër anët. Edhe po të mos kishte hije tjetër për të mrizuar delet, nuk gjente arsyetim për goditjen e tija. Pa menduar për hije tjetër, ashtu siç mbante kërrutën në dorë çdo herë, e kishte goditur Vrrinin duke e plandosur për tokë me një të rënë. As nuk i kishte shkuar mendja se e kishte mbytur në vend. Nuk ishte ndalur as ta shikonte se ç ‘ndodhi me të. Aty i kishte mbetur ngrirë mendja e tij për plot njëzet vjet, gjithë deri tash kur po udhëtonte drejt shtëpisë, pasi kishte mbaruar burgun.

* * *

Duke përsiatur për çdo detaj të asaj dite, gati harroi të zbres nga autobusi në stacionin e duhur.

Doli nga autobusi dhe u zhytë në errësirën e zezë. Po udhëtonte drejt Gurit Petak, andej nga kishte udhëtuar çdo herë para plot njëzet vjetësh. Numërimi i ditëve të besës e kishte sjellë buzë greminës.

Udhëtimin kah Rrasa e Madhe, që e kishte menduar gjatë, e largoi fare nga mendja. Rropatja për të zgjedh shtegun kah Guri Petak kishte marr fund, në atë çast që doli nga autobusi. Ai po udhëtonte tok me mendimin për hasmin në pritë. Ishte bërë i një mendjeje, dhe le të dali ku të dali. Me dy gjaqe në shpinë dhe me dy prita në kokë, po ecte rrugës së moçme pa menduar për rrugën e re, që përshkonte pash me pash katundin. As nuk i shkoi mendja për dushkajat anash rrugës, që ishin rritur aq shumë dhe kishin ngushtuar sokakun e moçëm, i cili tash më shumë i ngjante një tuneli të errët ku edhe rrezet e diellit depërtojnë me vështirësi.

Sa ishte duke vuajtur dënimin në burg, kishte ndarë mendjen. Tash e tutje duhej të nxirrte besë nga dy familje.

Sipas kanunit, vuajtja e dënimit me burg, nuk e lironte nga hakmarrja.

Me dy mendje nuk do mund të bënte një hap. Vetja i dukej krejt i vendosur për të lëvizë edhe pa marrë besë fare. Kjo nuk është jetë, i thoshte vetes shumë herë. Kjo është mizori, ia përsëriste vetës fjalët si jermi. Akoma pa u pajtuar me hasmin e vjetër, gjakun e të cilit ja la në shpinë i ati, me dorën e vet bëri hasmin e ri, pa menduar dy herë.

Sa herë lëshonte këmbën në tokë i dukej e rëndë plumb. I dukej sikur këmbët i sharronin thellë në dhe, prej nga i nxirrte me zor. Mendoi të heq edhe këpucët e të ecte zbathë si shumë herë të tjera kur ishte fëmijë. Akuzonte edhe këpucët për lodhjen dërmuese që e kishte kapluar.

Sa hap që bënte drejt shtegut, i dukej sikur shkëmbi po lëvizte drejt tij. I dukej sikur Guri Petak kishte marr këmbët dhe i tëri kishte mësy në drejtim të tij. Megjithëse po udhëtonte drejt Gurit Petak, iu kishte mbushur mendja se shkëmbi po i afrohej pas çdo hapi. Vendosi të ngadalësonte hapin, por kot. Shkëmbi po i afrohej. Këmbët nuk i bënin punë. Ishte bërë gati edhe për të dëgjuar krismën e fundit. Ishte i bindur që prita është aty. Çdo hap të ri, e bënte më ngadalë se tjetrin.

Mendoi vet me veti, që sa më shumë të vonohet, qoftë edhe për disa minuta, për të arritur të Guri Petak, vetes ia zgjatë jetën edhe për aq kohë. Me zemër e me shpirt, sikur dëshironte të mos arrinte kurrë të Guri Petak, ku ishte i bindur top, se aty po e priste hasmi. Megjithëse më shumë kishte kaluar jetën me bagëti, frika që po e mundonte nga mos llogaritja mirë e kohës së ditëve të besës, e kishte tronditur tepër. Dangalli, me mendjen e tij vet e vendosi pritën te Guri Petak. E mendoi më herët edhe rrugën kah Rrasa e Madhe por ja që sonte po ecte drejt Gurit Petak, ku sipas tij e prisnin, jo njëri, por të dy hasmit.

Sa më shumë i afrohej Gurit Petak, frymëmarrja i shpeshtohej dhe ndjente zagushi. Sikur dikush po ia zinte frymën. Nuk bëri edhe shumë hapa. Gati ishte afër të kalonte shtegun e njohur dhe - Tak.

Vetëm Dangalli dëgjoi atë krismë të thekshme në ato orë të vona të natës.

Askush pos tij nuk e dëgjoi atë krismë. U lëshua ngadalë në tokën shkëmbore, në atë shtegun që e kalonte shumë herë me drojë. Sa shumë herë e kishte kaluar atë shteg kur ishte fëmijë, por jo kësaj radhe. Nuk mendoi të shkonte andej nëpër rrugën e gjatë kah Rrasa e Madhe. Nuk i ra ndërmend as për të shoqen, as për djalin, që e prisnin. Gjithçka mori fund aty në mes dy gurëve, të shtegu, mes Gurit Petak. Terri i zi që kishte mbuluar çdo gjë, u nxi edhe më shumë. Goditja nuk i la mundësi për të fol një fjalë. Nuk kishte as kujt t’i fliste. Aty ku kishte gabuar llogaritjen e ditëve dhe orëve të besës, hasmi të cilin e kishte fiksuar në mendje për njëzet vjet në burg, kreu punën e tij. Në ato qaste kur po jepte shpirt iu kujtua vetëm Vrrini si e kishte goditur dhe e kishte lënë nën hije, pa menduar fare që ai kishte vdekur në vend.

Në fund të humnerës, tash nuk e shihte më askush, as për dëshmi, as për ndihmë, për të cilën as nuk kishte më nevojë.

Atë ditë, për të dërguar të shoqen në spital kishte llogaritur shumëçka për ditët e besës, por hesapi nuk i kishte dal tamam. E kishte paramenduar edhe fëmijën që do të lindte e shoqja, por nuk kishte arritur as ta imagjinonte se atë nuk do ta merr ngryk për së gjalli të tij.

Vrrini nuk është gjallë moti. Dangallit, kurrë nuk iu kujtuan fjalët e Kryeplakut të fshatit, i cili atë ditën e fundit të besës i kishte thënë shkurt: “Si më vra dikën, si me të vra dikush”! Me burg nuk mbyllet pajtimi mes hasmëve për gjak. Kjo plagë e madhe shërohet vetëm me pajtim.

Asnjë ekspertizë nuk zbuloi që Dangallin e vrau dikush atë natë që po kthehej nga burgu. Kurrë nuk u gjet gjurmë arme a plumbi të Guri Petak. Nuk doli edhe një njeri tjetër që ka dëgjuar ndonjë krismë atë natë. Rrëfimi se si ra Dangalli në kurth duke numëruar ditët besës, mbeti enigmë.

Për pajtimin e dy familjeve, kishte menduar vetëm nëna Fatbardhë, e shoqja e Bardhecit. Ajo për plot njëzet vjet rresht, kishte mbjell fjalën pajtim në familje. Derisa Dangalli, gjatë gjithë qëndrimit në burg, kishte kurdisur vetëm prita vrastare, Fatbardha, një bijë fisi, një nënë e madhe në familjen e Vrrinit, ishte shkrirë si qiriu duke mbjell fjalën pajtim. Kështu Liri, i biri i vetëm i Dangallit do të jetojë i lirë. Ditën që u përhap lajmi se Dangalli u gjend i vdekur, Familja e Vrrinit ia fali gjakun, të birit të vetëm të tij, Lirit.

Botuar në librin „Tregime t’leshta“ (Prishtinë, 2026).

Faqja e librit →