Fatbardha foli për pajtim
Për pajtimin kishte marr guxim të flas Fatbardha, e shoqja e vëllait të madh të Vrrinit. Ajo ishte rritur në një familje të urtë e punëtore. Që në fëmijëri, duke lozur fare afër shtëpisë me shoqe, një vajzë e vogël, krejt rastësisht ia kishte verbuar njërin sy. Nga ajo ditë, njëri sy i shkoi pa kthim. Kur u rrit e u bë për martesë, nuk e kërkonte askush për nuse. Bardheci, që ishte vet i shtati vëlla, një ditë kuptoi rastin e kësaj vajzë, dhe pse askush nuk po e kërkonte për nuse. Ai vendosi që vet ta kërkonte dorën e saj. Shkuesit nuk iu desh të shkonte dy herë për të marr fjalën. Thashethemet për Fatbardhën me një sy të verbër, kishin pushuar menjëherë. Ajo ishte bërë shembull për të mirë, qysh në moshë të re dhe thashethemet për të as që ishin dëgjuar ndonjëherë në Zezë. Edhe kur ishte bërë nuse, për të nuk ishte dëgjuar ndonjë përgojim, gjë që ishte krejt e zakonshme në këtë fshat. Ajo fliste aq rrallë, sa shumë zijosheve iu kishte mbushë mendja që është memece.
Pa kaluar një vit martese, Fatbardha kishte lindur fëmijën e parë, djalë. Sa herë që dikush shkonte të Bardheci, në oborr e shtëpi shihte një rregull që nuk e kishin familjet dhe shtëpitë e tjera në Zezë.
E ktheu mbarë gjithë familjen e Bardhecit, kishin filluan të thonë zijoshët. Bile, edhe emrin Fatbardhë, e kishin zor t’ia thonë. Derisa nuk kishte ardhur nuse Fatbardha në Zezë, nuk kishte mbetur edhe një femër tjetër pa ndonjë nofkë për të zi. Për habi, zijoshët, Fatbardhën po e thërrisnin me emër.
Fill pasi lindi fëmijën e dytë, edhe pas vrasjes së kunatit të saj, Vrrinit, ajo po merrej si shembull i një femre të mençur që dallon shumë nga të tjerat.
I ati nuk i vinte aq shpesh për vizitë. Familja e saj e çmonte Fatbardhën si asnjë fëmijë tjetër të tyre dhe sikur nuk donin t’i diktojnë ndonjë përshtatje të saj në familjen e burrit. Të gjithë thoshin se ajo i di mirë punët e saj. E di ajo çka i duhet një shtëpie për drekë e për darkë.
Bardheci ka zënë mik se jo mahi, pëshpëritnin zijoshët me xhelozi të madhe.
Në Zezë akoma nuk ishte parë një grua e tillë që nuk përgojon njëri të gjallë.
Dangalli që kishte vrarë Vrrinin, kunatin e saj, për një hije lisi, tashmë kishte bërë tetëmbëdhjetë vjet burg.
Sa më shumë afrohej dita kur vrasësi i Vrrinit do të mbaronte burgun, në familjen e Fatbardhës ishin shtuar zërat për hakmarrje. Fatbardha po shihte ndryshimet e sjelljeve të të shoqit dhe të kunetërve. Fjalët e urta sikur kishin filluar të harxhoheshin. Bisedat e rëndomta njerëzore po bëheshin gjithnjë e më të egra.
Fatbardha nuk kishte harruar ditën kur pat humbur syrin e majtë. Iu kujtua fëmijëria kur nga një pakujdesi e vogël humbi njërin sy gjatë lojës me shoqe. Iu kujtua si i zinin behane për ta kërkuar për nuse, por nuk ishte dëshpëruar asnjëherë. Kujtoi edhe vrasjen e Vrrinit dhe shumë herë i kishte thënë veti se Dangalli nuk e kishte mbytur me qëllim. Shumë herë kishte përsiatur ditë të tëra si mund të vritej njeriu për hije. Krejt kjo i dukej si një mallkim i zi.
Të gjashtë vëllezërit e Vrrinit më nuk flisnin edhe një fjalë të vetme në praninë e grave, megjithëse tash ishin gjashtë kunata. Fatbardha, e cila atë ditë që kur u vra Vrrini, kishte dy fëmijë të vegjël, tash numëronte tetë. Bile, fëmijën e parë, që ishte vajzë, e kishte martuar para disa muajsh.
Ishin shtuar miqtë. Sa dilte njëri mik nga oda, hynte tjetri. Fatbardha po peshonte mirë e mirë çdo fjalë. Ajo moti kishte menduar si të hapte bisedën e pajtimit. Kishte menduar gjatë kujt t’i thoshte diçka ndryshe, diçka që pajton zemrat e njerëzve.
Shumë herë mendoi, mos vallë gjuhës sonë i mungon fare fjala pajtim, pasi nuk po e dëgjonte dot në asnjë bisedë, as nga gratë e aq më pak nga meshkujt. Thurte e ç’ thurte fjali pas fjalie në heshtje, por të ndërlidhte diku fjalën pajtim, nuk gjente hapësirë. Shumë herë i thoshte vetes; nuk është rendi që kjo të hapte temën e madhe të pajtimit, në shtëpinë e burrit. Edhe sa herë shkonte në familjen e saj në fshatin e lindjes, nuk kishte marr guxim për t’i thënë dikujt edhe një fjalë për pajtim. Shumë herë mendonte se po t’a përmendte vetëm fjalën pajtim, do bëhej hataja nga vet njerëzit e shtëpisë. Ndoshta vetëm atëherë do të shihet se çka kanë menduar të më thonë zijoshët, e nuk iu kam dhënë rast. Sa më shumë që kalonin ditët, ajo nuk po mund të qëndronte memece, kur po vërente se po të mos fliste edhe pak ditë, mund të behej vonë.
Nuk harronte mundësinë e përgojimeve që ishin ushqim i preferuar për shpirtin e zijoshëve.
– Këta mund të më përgojojnë vetëm për syrin tim, e qetësonte vetën në heshtje. Është pikërisht ky syri im i verbër që më ka mësuar më shumë se ky tjetri me të cilin shoh zi e terr. Me njërin sy, kam parë vetëm gjysmën e të zezave të zijoshëve. Bile këtë syrin e verbër e dua më shumë dhe e konsideroj fat për mua. Ky syri im i verbër ka bërë mirë që nuk i ka parë aq shumë të zezat që ka Zeza. Ndonjëherë është mirë të jesh e verbër dhe e shurdhër për të mos parë e dëgjuar aq shumë të liga të zijoshëve. Kujtonte shpesh fjalët e t ‘ëmës, e cila i kishte thënë se edhe vet duhet të shtihet shumë herë e shurdhër dhe e verbër.
Fjalën pajtim nuk e nxirrte dot nga goja. Akoma nuk po gjente besim të asnjë anëtar i familjes, megjithëse tash ishte nënë e tetë fëmijëve. Për besim e dallonte vetëm të atin, por edhe atë e kishte kursyer gjatë nga kjo bisedë. Babin e donte shumë dhe kjo nuk ishte ndonjë sekret. Edhe i ati ia kthente dashurinë me të njëjtën masë.
Nënën e kishte kursyer moti nga kjo bisedë, pasi edhe asaj ia kishin vrarë moti një vëlla dhe kurrë nuk kishte hequr nga koka shaminë e zezë, jo vetëm sa kishte qenë vajzë, por edhe kur ishte bërë nuse.
– Po unë nuk kam çka ti rrëfehem nënës?- kishte menduar shumë herë.
– Për pajtim zemrash mund të flas vetëm babi. Mund të ndodhë lehtë që nëna të mos merr guxim t’i thotë babit fjalët e mia. Nënës mund t’i duket e zorshme fjala pajtim. Kishte kohë që ishte bërë nënë edhe vet, por nuk kishte menduar asnjëherë për besimin e nënës së saj ndaj babit. Ndoshta ajo nuk guxon as të mendojë për diçka aq të madhe siç është pajtimi. Çdo punë që bënte, e kryente pa zë. Brengosej shumë pse në familjen e burrit askush asnjëherë nuk e kishte përmendur fjalën pajtim. Ata mendojnë vetëm për vrasje, thoshte vet me veti. Këtë duhet ndalur, por si dhe kur?
Ngushtohej shumë, sepse edhe ajo po mendonte se pajtimi është fjalë e madhe që të nxirret nga goja e një gruaje.
Ndonjëherë i shkonte mendja se mos ndonjë zemërzi po nxitë këtë të zezë.
Si ta kishte dëgjuar vet zoti atë që po mendonte të fliste Fatbardha. Si më porosi, një ditë i kishte ardhur i ati. Bardha nuk kishte nguruar që t’i thoshte të shoqit së kishte dëshirë të shkonte për dy-tre net me të atin. Mezi kishte pritur që të nisej me babin për rrugë. Nuk kishte pritur të arrinte në shtëpi, por gjatë rrugës kishte hapur bisedën e madhe. Kishte hedhur mënjanë çdo fjalë a fjali tjetër. Kishte menduar edhe për mospajtimin e të atit. Ajo besonte se babi e kupton më mirë se çdo kush tjetër. Kishte filluar t’i rrëfente të atit sesi në familjen e burrit po flitet shpesh për hakmarrje. Gati po kalojnë njëzet vjet nga ajo ditë dhe tash kur djali i vetëm i Dangallit është bërë burrë, pa e parë dikush në rrugë, po mendojnë ta vrasin, pak para se të kthehet i ati nga burgu.
I befasuar nga fjalët e të bijës, i ati kishte ndalur hapin. Kishte menduar gjatë, por nuk po gjente edhe një fjalë që do të ishte e barabartë me atë që i tha e bija. Edhe vet kishte menduar shumë herë për të fol diçka për këtë punë, por nuk kishte marr guxim, krejt nga frika, mos po preket miku. Kishte menduar edhe për të gjashtë vëllezërit se çka do të thonë. Kishte shfaqur dyshim se ndoshta dikush prej vëllezërve mund të prishte krejt çka do të thoshte ky. Fatbardha kishte bërë shumë hapa para të atit, më urtësinë e saj.
Duke dëgjuar fjalët e të bijës, plaku foli gati si vet me veti.
– Sa mirë ke menduar Fatbardha ime!
Ajo e shikoi mirë të atin në sy kur po thoshte diçka, por nuk e dëgjoi mirë. U gëzua që i ati e priti mirë mendimin e saj për të hapur punën e pajtimit. Këtë e lexoi dhe kuptoi edhe më mirë nga reagimi i babait. Këtë e dëshironte moti. Ajo ia lexonte mendimet të atit edhe pa fol. Dikush duhet të marr guxim të flas për pajtim. Sapo të vjen herën tjetër baba, mund të flas hapur për pajtimin e familjes së Bardhecit me familjen e Dangallit.
Me të arritur në shtëpi, babë e bijë ishin ulur në oborr dhe kishin vazhduar shtruar temën e pajtimit. Kishin folur edhe për shumë imtësi që mund të prishin vet mendimin për pajtim. Kishin folur si të shmangin edhe çdo fjalë që mund të nxisë çfarëdo mospajtimi apo reagimi të papëlqyeshëm. Të dy, sa kishin dëshirë të mbjellin qoftë vetëm idenë e pajtimit, po aq kishin frikë se mos nuk do t’i kuptojë askush nga ata që duhet, në familjen e Bardhecit.
Çdo fjalë që këmbyen babë e bijë, përbrenda kishte edhe dozë të lartë të frikës. E dinin të dy se kur një ide nuk pranohet, ndikon në ftohjen e marrëdhënieve të deritashme miqësore. Po të mos arrihet qëllimi, edhe dashuria mes tyre si miq pëson goditje të fortë, sado që dikush përpiqet të mos e thotë këtë me zë.
Më ka shkuar mendja moti të hapi këtë bisedë, por nuk kam pasur guxim, i tha Fatbardha disa herë të atit. Shihej se edhe babai që moti kishte menduar për të hapur këtë temë.
Më dukej sikur do të hidhëroheshin miqtë me mua, i kishte thënë të bijës. Se ku të ka shkuar mendja ty aq kohë, e nuk ke fol, edhe kjo ka arsye, se je grua e nënë në atë familje të madhe, i kishte thënë i ati.
Derisa po e dëgjonte i ati, Fatbardha kishte pyetur se çka fitojnë nëse vrasin të birin e Dangallit? Ajo ishte e bindur se nuk fitojnë asgjë, përveç burgut dhe ngujimit të gjithë familjes! Vrasjen e Lirit, të birit të Dangallit, nuk mund ta arsyetojë edhe një njeri normal. Ai djalë është rritur i izoluar nga bota njerëzore që e rrethon. Është rritur e ka bërë tetëmbëdhjetë vjet ngujuar pa ditur a ka babë fare. Sa ka qenë i vogël nuk ka ditur se çka është ngujimi.
Tepër e rëndë me duket kjo bisedë ngado që t’ia fillojmë, i kishte thënë Bardhës i ati, dhe kishte heshtur kohë të gjatë pas fjalëve të së bijës.
Dikush duhet të flas. Nëse as na nuk flasim, atëherë kush duhet të hap këtë bisedë? Dikush digjet përbrenda për të thënë fjalën pajtim dhe për t’i shkuar deri në fund kësaj pune. Duhet te gjejmë edhe ndihmës, nga çdo anë që mundemi.
Çka, si, kujt, kur, ku, cilit t’i fliste? Me cilin të fliste më parë Fatbardha? Edhe sa ditë të priste për të penguar një vrasje. Me cilin të fliste më parë i ati i saj? Ai mendonte se e liga mund të ndodhë e të mos ketë folur akoma për pajtim.
Dy ditë e net kishte qëndruar e bija tek i ati dhe më nuk kishin këmbyer edhe një fjalë. Të atit të Bardhës nuk i zihej vendi vend, kur e kuptoi pak më shumë gjendjen që ishte krijuar në familjen e mikut. Ti thoshte të bijës bëhu gati e të kthej në shtëpi të burrit pa i bërë tri net, i dukej sikur po e tepronte dhe po shfaqte më pak dashuri ndaj saj, por puna e donte të shpejtojë sepse mund të bëhet nami, i tha veti. Shkojmë nesër bashkë i tha Bardhës, pa i numëruar ditët që duhej të rrinte ajo të babai. As ajo nuk u befasua. Sikur e kishte pritur këtë reagim të të atit. Bile u gëzua, dhe kjo shihej në çdo hap. Fjala e babit do të ketë më shumë peshë se e imja, thoshte vet me veti Fatbardha. Të nesërmen pas dreke, Bardhi arriti në Zezë për konak të miku.
O sonte o kurrë, i tha veti Bardhi.
Këto punë nuk presin ditë të mirë. Dashtë zoti të jenë të gjithë vëllezërit në shtëpi që të mos më duhet ta ndjek ndonjërin veç e veç, se nuk dal prej atje pa e hapur punën e pajtimit, po i thoshte vetës ngadalë. Për këtë po hapej një mundësi.
Në mbrëmje, miku i Bardhecit, Bardhi, kishte ardhur si miku të miku! Pasi nuk kishte miq të tjerë në odë, ai kishte folur me Bardhecin shumë hapur për të mirat që sjell pajtimi i gjaqeve. Ai e kishte nisë tregimin për pajtimin e madh që kishte ndodhur të Verrat e Llukës në Kosovë. Derisa miku po vazhdonte të fliste për këtë tubim që kishte ndodhur atje, Bardheci, kishte bluar çdo fjalë të mikut, gjithnjë duke menduar, se ndoshta është më mirë që edhe familja e tij t’ia fal gjakun Dangallit.
Ai akoma nuk po i thoshte mikut të tij, se po synojnë t’ia vrasin djalin e vetëm Dangallit për të marr gjakun e Vrrinit, pikërisht kur ai do të mbaronte burgun.
Ky plan djallëzor ishte zier me vite, dhe tash kur Dangalli po mbaronte dënimin prej njëzet vjetësh, hasmi kishte menduar për hakmarrje të dhimbshme. Këtë mendim nuk ia kishte thënë një natë më parë as mikut të ri me të cilin kishte muhabet të madh. Derisa Bardheci fshihte edhe çdo mendim për hakmarrje, nga kushdo qoftë, atij i kishte shkuar mendja që vet të marr mbi vete, vrasjen e djalit të Dangallit.
Miku i tij, si me urtësi dhe jo drejtpërdrejt, po fliste për madhështinë e tubimit të pajtimit të Verrat e Lukës. Në një moment, sikur krejt pa qëllim tha; sa mirë do të ishte që edhe ti Bardhec me vëllezërit tuaj t’ia falni gjakun e vëllait, pikërisht të birit të Dangallit, Lirit, në tubimin tjetër që ka në radhë Baca Anton. Bardheci u shtang kur nga goja e mikut dëgjoi fjalën falje të gjakut. Përtypi mirë e mirë nervozen, për t’ia kthyer fjalën mikut me trimëri për gjakmarrje, por nuk e nxori dot nga goja këtë fjalë.
Po, mik, askush deri sot nuk ka kërkuar nga ne kurrfarë pajtimi, pëshpëriti si ndër dhëmbë Bardheci!
– Mirë, i tha miku! Mirë që qele vetë këtë punë Bardhec. Dangalli së shpejti mbaron burgun dhe sa kam kuptuar, ju po synoni që para se të kthehet i ati në shtëpi, t’ia vrisni djalin e vetëm të tij, i cili tash ka mbushur njëzetë vjet.
Bardhecit iu zu fryma fare. Mendoi gjatë, se kush mund t’ia ketë treguar mikut planin që kishte bërë me vëllezër, pasi nuk kishte folur me grua asnjëherë për këtë. Bardheci nuk po mund të thoshte më asnjë fjalë. Për disa çaste as nuk i shkoi mendja se për këtë mund t’i ketë treguar e shoqja, babait të saj. As nuk mund e merrte me mend se e shoqja kishte kuptuar gjithë planin që po zienin.
Miku vazhdoi të fliste më lirshëm, dhe gjuha ia kapi edhe fjalën pajtim.
Duhet të mendosh mirë, se Vrrini nuk ngjallet më. Dangalli gati ka mbaruar burgun. Atij iu ka rritë djali i vetëm që nuk i ka faj askujt. Bile, Liri, i biri i Dangallit që lindi atë ditë të kobshme, vonë ka kuptuar se kë ka baba dhe ku është ai, e lëre më të ketë menduar për besën, të cilës iu nënshtrua familja e tij për njëzetë vjet rresht. E ëma që mbeti fare e re, pa burrë në shtëpi, e ka rritur Lirin në skamje të madhe, por nuk është ndarë nga fëmija për të gjallë saj.
Ajo grua, ishte betuar se edhe nëse Dangalli nuk kthehet i gjallë nga burgu, nuk do të dal gjallë nga shtëpia ku është martuar një herë, atë ditë që vëllezërit e saj kishin ardhur ta pyesin për fatin e saj, pasi mbeti vetëm me vjehrrën. Ajo ua kishte prerë këtë punë vëllezërve me një fjalë.
– Dangalli nuk e mbyti me qëllim Vrrinin.
Ajo vrasje ishte një mallkim i zi rasti. Edhe pse Dangalli ishte në burg, as nëna plakë nuk ka dal kurrë nga shtëpia pa marr besë nga familja e Vrrinit.
Nëna e Dangallit ka vajtuar Vrrinin më shumë se familja e tij.
Ajo ka lotuar për Vrrinin sikur të kishte vdekur i biri i saj i vetëm, Dangalli. Ajo grua plakë, sa qe gjallë respektoi familjen e Vrrinit me të gjitha adetet që i cakton kanuni i maleve. Të mjerën, nuk e patën lejuar të shkojë në të pame, për krye shëndosh, , dhe këtë e ka përmendur deri atë ditë që ndërroi jetë, pa e parë as djalin e saj që të ketë dal nga burgu. Vetëm Lirin që lindi atë ditë të kobshme e pati ngushëllim të vetëm gjatë gjithë kohës, prej kur i biri u dënua me njëzet vjet burg dhe i cili nuk u kthye gjallë nga burgu..
Botuar në librin „Tregime t’leshta“ (Prishtinë, 2026).
Faqja e librit →