Adem NimaniShfleto revistën
Tregim · Grremçi

Grremçi dhe vizitorët misterioz të qytetit

Adem Nimani · · Tregime t’leshta

Shehri i Mustafë Agës nuk ishte i madh as sa një lagje e kryeqytetit perandorak.

Grremçin, që ishte rrogëtar i agës, për shkak se fuste feçkën kudo, vetë Mustafë Aga e kishte larguar nga puna. Atë e njihnin të gjithë. Në këtë shehër të vogël, gati të gjithë banorët që jetonin aty e njihnin njeri tjetrin. Edhe Grremçi i njihte shumicën e tyre. Megjithëse vinin rrallë, fytyrat e panjohura binin në sy menjëherë. Zakonisht, Grremçi ishte i pari që kontaktonte me ta. Fytyra e veshja e tij nuk ofronin pamje të këndshme të qytetit për një të huaj.

Pasi e kishin përzënë edhe nga puna si rrogëtar, Grremçi po përpiqej të behej falltar me zor. Gati askush nuk e merrte seriozisht ndonjë profeci të tij. Ardhacakët e ri e misteriozë, në shehër ishin të mirëseardhur, veçanërisht për Grremçin. Ai po shpresonte që se paku atyre do të mund tua shes ndopak fall nga parashikimet e tija për të ardhmen. Kaloi kohë e gjatë dhe të huajt po adaptoheshin shpejt në rrethin e ri. Me aq sa kuptonin, Grremçi po i njoftonte në hollësi për gjithçka që ngjante në shehrin e Mustafë Agës, por edhe në kryeqytetin perandorak.

Sa herë që Grremç zinte në gojë emrin e kryeqytetit, të huajt kapnin barkun me dorë nga të qeshurat. As mund ti shkonte mendja Grremçit se ata mund të ishin bash jeniçerë të arratisur nga kryeqyteti.

Çdo lajm nga kryeqyteti arrinte vonë dhe gjatë rrugës i shtoheshin apo ju hiqnin shumë fjalë dhe pak kush kuptonte se çka vërtetë po ndodhte në kryeqytet.

. Kishin kaluar disa muaj pas ndryshimeve të mëdha në kryeqytet, por shehri i Mustafë Agës nuk ishte trazuar fare. Kishin ardhur aty disa njerëz krejt të panjohur. Megjithëse ata, Grremçin tashmë e kishin bërë si pikë takimi dhe sado-kudo diçka kuptonin prej tij, së paku për gjendjen në shehrin ku po kalonin kohën, që nga arratia e bujshme. Fermani për arrestimin e tyre akoma nuk kishte arritur në veshtë e Grremçit, por të myftiut po se po. Ashtu së paku mendonte Grremçi bashkë me miqtë e rinj, por myftiu i ri moti kishte marr fermanin dhe kishte kuptuar edhe kush janë mysafirët e panjohur.

Grremçi akoma nuk kishte dëgjuar fare për përmbysjen e madhe që kishte ndodhur në pallatin perandorak. Nuk dinte ai, e as që kishte dëgjuar ndonjëherë emrin jeniçer?! Tash kur po shoqërohej me njerëzit misterioz, ai akoma nuk kishte kuptuar se kush janë ata. Herët duke punuar rrogëtar të beu, kishte mësuar ca fjalë në gjuhën e dovletit. Ashtu me ato pak fjalë që dinte kishte filluar të merrej vesh me njerëzit e panjohur. Grremçi, për herë të parë në jetë, prej tyre kishte dëgjuar edhe fjalët e reja; eunuk dhe ambasador. Edhe të huajt, duke u shoqëruar me Grremçin, kishin filluar të kuptonin fjalët e panjohura në shehrin e ri për ta, dhe po adaptoheshin shumë shpejt.

Shumë herë Grremçi përpiqej të kuptonte sa çka kanë punuar këta njerëz deri tash? Ata nuk tregonin profesionin e vërtetë të tyre nga frika se shpejt mund të arrestoheshin, pasi sulltani kishte shpallur fermanin për ndjekjen e tyre kudo që mund të gjenden brenda kufijve të perandorisë. Secili prej tyre kishte një emër, por që në të vërtetë ishte nofkë. Pas shumë bisedash, Grremçi prej tyre kishte dëgjuar edhe fjalë që nuk i kuptonte. Ata përpiqeshin t’ia shpjegojnë ato pak fjalë për të cilat interesohej shoqëruesi i tyre i ri. Emrat jeniçer dhe eunuk ishin krejt misterioze për Grremçin. Pikërisht këto fjalë i përdornin më tepër këta njerëz misterioz që po kalonin shumë kohë të shoqëruar me këtë “ciceronin” e shehrit të Mustafë Ages. Sa dinte, çka thoshte, e çka nuk duhej tu thoshte të huajve, Grremçi këtë nuk e imagjinonte dot.

I kishin treguar se atje në kryeqytet ka njerëz që përfaqësojnë shtetet e huaja dhe ata quhen ambasador.

– Po cili është kuptimi i fjalës eunuk?- kishte pyetur Grremçi.

Ata i kishin treguar se eunukët janë meshkuj të pjekur dhe zgjedhën nga vetë sulltani. Pasi zgjedhën nga sulltani, mjekët e caktuar, të cilëve u thonë heqim, i marrin e i tredhin.

Grremçi ishte rrëqethur nga këto fjalë. Pasi Grremçi nuk kishte asnjë qime në kokë, njerëzit e panjohur kishin menduar, në mos bash ky njeri mund të ishte një eunuk që mund të ketë ikur nga haremi i sulltanit. Një ditë ata i kishin treguar se në oborrin mbretëror kalërojnë jo vetëm ambasadorë nga shtetet e ndryshme, por ka edhe ambasador pa shtet.

Si për mahi njerëzit misterioz i kishin treguar Grremçit se ambasadori pa shtet është sikur eunuku pa koçe. Grremçi as që kishte qeshur me këtë mahi duke e menduar vetën si eunuk në haremin e mbretit.

Deri tash kur i kishin treguar se çka është eunuku, Grremçi kishte ëndërruar që një ditë të shërbente në sarajet e sulltanit. Pasi kishte kuptuar së kush quhet eunuk, kishte filluar të fliste vet me veti. Ai i thoshte vetit, se ma mirë qenka këtu në rrugë, pa martuar, sesa në saraj të mbretit pa koçe. Herë-herë, kur nuk kishte njerëz të tjerë afër, bërtiste me zë: Më mirë pa martuar fare, se sa eunuk në harem!

Njerëzit e panjohur, që në të vërtetë ishin jeniçerë, që i kishin shpëtuar zjarrit të topave të ushtrisë së sulltanit, ditë e më tepër interesoheshin se çka dinte Grremçi për karvanët që bartin mallra të ndryshme gjithandej Vilajetit dhe shehrit të Mustafë Agës. Ata ngadalë e me maturi po interesoheshin veçanërisht për karvanët me barrë sekrete. Grremçi as që po përpiqej të fshihte diçka prej tyre. Edhe vetë nuk e bënte gjumin gjumë duke përsiatur pikërisht për karvanët e tilla dhe si mund të arrinte edhe ai vetë të merrte pjesë në ndonjë plaçkë të shtrenjtë..

U kishte treguar mysafirëve të paftuar se si ka parashikuar ardhjen dhe ikjen i një karvani të madh që tërhoqi gjithë rezervat e arit nga vilajeti Krra-Krra, por askush nuk i kishte besuar.

Po Grremçi nuk u kishte treguar se parashikimi i tij është përfolur vetëm pasi ishte kuptuar zhdukja e myftiut të vilajetit. Edhe të huajt e pa ftuar që kishin arritur në shehrin e Mustafë Agës, me pak fjalë, me tertip po i tregonin se janë jeniçerë. Kishin treguar ata se shumë shokë të tyre janë vrarë por edhe shumë tjerë kanë arritur të arratisën, nga sytë këmbët. Pas shumë ditësh Grremçi kishte kuptuar se ato fytyra të huaja në shehrin e Mustafë Agës ishin vërtetë jeniçerë.

Në anën tjetër, në kryeqytetin perandorak, sulltani, megjithëse dëgjonte përditë parashikimet e astrologëve, bënte të kundërtën e çdo herezie të tyre. Nga falli kishte fituar përshtypjen se gjendja në perandori po përmirësohet. Astrologë kishte jo vetëm në oborrin mbretëror, por kudo, në çdo shehër, nëpër të gjitha vilajetet e perandorisë.. Astrolog mbi astrolog e konsideronte vetën edhe Grremçi që jetonte në shehrin e Mustafë Agë. Ai nuk merrej vetëm me fall, por edhe me konspiracione.

Njerëzit thoshin me ironi, se po të dëgjonte Padishahu për parashikimet e Grremçit, menjëherë do ta dërgonte ordhinë për ta sjell në oborrin mbretëror.

Grremçit nuk i kishte mbetur fije leshi as në kokë as në trup, duke u marr gjithë kohen me parashikime për lëvizjet e fshehta të karvanëve të dovletit. Sa karroce që shihte me kuaj, ja vente një barrë sekrete. Kur shihte dy a më shumë karroca me kuaj e me përcjellje nga Ordhia e zezë, përpiqej që gjithë njerëzve të qytetit të Mustafë Agës tu garantonte se ato qerre ishin ngarkuar; sa me ari, sa me barot, sa me armë e sa me robër nga ndonjë fushëbetejë.

Karvani që kishte tërhequr rezervat e arit nga vilajeti Krra-Krra ishte rehatuar në kryeqytet, derisa Grremçi vazhdonte të bindte njerëzit për saktësinë e fallit të tij. Madje edhe skuadra e përgatitur me kohë nga Padishahu për sigurimin e karvanit, kishte arritur të nxjerrë nga lumi karrocën e ngarkuar me barrën sekrete e cila qe aksidentuar natën e parë të udhëtimit me dymbëdhjetë karroca tjera me kuaj, ndërsa Grremçi akoma nuk kishte dëgjuar fare për këtë. Ai fliste kudo për parashikimet e tija dhe përpiqej të bindte miletin se diçka e madhe po zihet, por ata talleshin me fjalët e tij si me anekdotat e Nastradinit.

Megjithëse fuste feçkën në çdo vrimë për të kuptuar a dëgjuar ndonjë fjalë të re, ndonjë konspiracion apo lajm me tertip, ai dilte çdo herë i vonuar. Për transportin sekret të rezervave të arit nga vilajeti Krra-Krra, nuk kishte kuptuar as plot një muaj më vonë, dhe vetëm pasi kishte dëgjuar lajmin për zhdukjen e myftiut të qytetit.

Grremçi ishte hutuar nga pëshpëritjet që kishin filluar të përhapën për Karvanin që ishte ngarkuar e larguar nëpër terr. Shumëkush e kishte shpallur të krisur, pa kuptuar që atë e kishte kapluar frika nga lufta që po afrohej, e të cilën nuk po e paramendonte dot shumica e njerëzve. Mendja i shkonte pandërprerë të karvani i cili ka tërhequr gjithë rezervat e arit. Atë e brengoste sekreti i tërheqjes, jo ari. Shumë më vonë, kur pillte ndonjë ngjarje e re, atëherë njerëzit fillonin të thonë; kështu pat thënë Grremçi shumë më herët, por na nuk i besonim.

Vetëm atë ditë që kishte kuptuar se në shehrin e Mustafë Ages është emëruar myftibashi i ri, Grremçi ishte bindur se myftiu i vjetër ishte zhdukur dhe karvani me ngarkesën sekrete kishte ikur shumë ditë më herët, pa e parë askush.

Grremçi shoqërohej përherë me jeniçerët që kishin gjetur strehë në shehrin e Mustafë Agës, pasi Sulltani i ri ua kishte djegur strofullin e moçëm në kryeqytet. As ata nuk po i besonin Grremçit për asgjë, megjithëse nuk i thoshin hapur. Jeniçerët kalonin kohën me Grremçin më tepër për zbavitje, sesa që i besonin ndonjë profecie të tij. Atyre askush nuk ua dinte emrat e vërtetë. Ata, njeri tjetrin e thërrisnin me nofka.

Dikush mund të thoshte, se po të kishin përfillur profecitë e Grremçit, jeniçerët, të cilët deri vonë nuk i njihte askush, do të kishin pasur mundësi ta plaçkitnin karvanin, akoma pa dal nga shehri i Mustafë Agës?! Në çdo parashikim sado të saktë që mund të dëgjohej, menjëherë shtrohej çështja e Ordhisë së Zezë që siguronte karvanin gjatë rrugës. Sapo dikush zinte në gojë Ordhinë e zezë, biseda, tregimet, parashikimet, falli e profecitë e kujtdo çoftë, binin në ujë. Grremçi nuk bindej dot se çka mund të përfitonte nga ai karvan të cilin nuk e kishte parë askush e për të cilin po thureshin tregime pa fund. Kështu jeniçerët duke u tallur me parashikimet e Grremçit, akoma asgjë nuk kishin kuptuar për lëvizjen e karvanit me barrë sekrete. Edhe ata kishin shpresuar se eventualisht mund ta kishin plaçkitur karvanin ngarkuar me ari, megjithëse atë e siguronte gjatë rrugës Ordhia e Zezë. Mund të thoshte dikush; çfarë budallenjsh ishin këta?

Për lëvizjet e karvanit dhe barrën sekrete ngarkuar, kishte ditur vetëm myftiu. Besim i sulltanit ndaj myftiut ishte trashëguar nga dinastitë e njëpasnjëshme mbretërore dhe ishte me bisht. Sipas një kodi të moçëm perandorak, ai që dinte sekretin, furej menjëherë dhe kufoma e tij zhdukej pa gjurmë. Çdo tregim që thurej më vonë kur barra sekrete dërgohej në vendin e duhur, më nuk kishte kurrfarë rëndësie. Nga thashethemet, shërbimi i sigurimit mbretëror vetëm mund të mësonte metoda të reja sekrete të lëvizjes. Çdo lëvizje e re e karvanit kishte kod sekret të ri.

Lëvizja e suksesshme e karvanit ishte e kobshme vetëm për myftiun.

Si zbulimi i saj, si mos zbulimi, për myftiun nuk kishte shpëtim. Ky dënim pasonte nga frika se nëse myftiu nuk e dënojnë, ai mund të zbuloj lëvizjen tjetër. Kështu për lëvizjen tjetër mund të dinte vetëm myftiu i ri i vilajetit të cilin e priste i njëjti fat.

Pas vrasjes së sulltanit plak, sulltani i ri kishte vendosur ti heq qafe jeniçerët dhe të riorganizonte ushtrinë. Numri i jeniçerëve ishte shtuar aq shumë sa askush nuk dinte më se kush ishte jeniçer i vërtetë e kush i rrejshëm. Zyrtarët përgjegjës ishin të korruptuar. Ata kishin pranuar në shoqatën e jeniçerëve edhe njerëz që nuk kanë qenë kurrë në ndonjë luftë.

Grremçi mund të thoshte lirisht se çdo sistem kopjon tjetrin dhe vetëm ja ndryshon emrin.

Grremçi, një varfanjak rrugësh, kishte kaluar gjashtë dekada jetë pa shtëpi dhe pa shpresë që mund të martohej ndonjëherë. Ai kishte mësuar nga jeniçerët se çka janë eunukët që punojnë në haremin e mbretit. Për jeniçerët nuk kishte ditur asgjë derisa mësoi nga goja e tyre, por akoma nuk e dinte se ata me të cilët po shoqërohej ishin vërtetë jeniçerë të arratisur, por që fshiheshin pas nofkave.

Botuar në librin „Tregime t’leshta“ (Prishtinë, 2026).

Faqja e librit →